Hashim Presheva….Nga Ermal Mulosmani

Mbrëmë në Klan u zhvillua një debat i fortë për rezultatet e Samitit të Berlinit në mes  Baton Haxhiut, padyshim njeriut më të informuar për bisedat formale dhe informale të krerëve më të lartë të dy shteteve shqiptare dhe disa njerëzve që, çuditërisht, pretendonin se dinin ndonjë gjë rreth këtyre çështjeve.

Nga ai debat, po veçoj një deklarim interesant të zotit Haxhiu. Duke dashur të spjegojë situatën aktuale mes dy figurave kryesore të politikës së Kosovës, ai tha:   “Hashim Thaçi e ka mundësuar koalicionin e PDK-së (pra Partisë që ai vetë ka udhëhequr prej themelimit e deri ditën kur u bë President) me AAK-në e Ramush Haradinajt dhe Nismën e Fatmir Limajt”.

Sipas Batonit, kur Presidenti i dha Ramushit postin e Kryeministrit, mendoi që e hoqi qafe nga punët e jashtme, me një fjalë vendimet e mëdha që merren në kancelaritë diplomatike. Ai mendoi që Ramushi do ishte njëfarë maxhordomi, njëfarë menaxheri i punëve të brendshme.

Kjo e spjegon në fakt edhe aksionet spektakolare ku Kryeministri u ndie i veçuar si deportimi i gulenistëve apo aksioni me Gjuriçin.

Ishte e qartë që Batoni po tregonte të vërtetën. Pra, një Qeveri e dobët me një Kryeministër të dobët, i jep rëndësi të dorës së parë Presidentit.  Një taktikë djallëzore  dhe efikase kjo e Presidentit për sa kohë Ramushi bie dakort të jetë i nënshtruar dhe pranues.  Por, me kalimin e kohës, Ramushi, filloi të bëjë Kryeministrin dhe e futi në kolaps Presidentin…

Momenti i ndryshimit ishte taksa e mallrave serbe që futeshin në Kosovë. Sapo Serbia loboi “kundër” për një anëtarësim të Kosovës  në organizatat ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës ishte në ditët e saj më të këqija, befas, situate ndryshon rrënjësisht.

Kryeministri Haradinaj dhe Qeveria e tij marrin vendimin ekstrem për vendosjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe. Një vendim i Haradinajt me përkrahjen e Kadri Veselit- Kryetarit të PDK-së dhe eksponentëve të tjerë të PDK-së anëtarë të Qeverisë. Dukej si një kapriçio femijënore dhe dëshirë për të marrë skenën politike.

Presidenti Thaçi, që ndërkohë jepte intervista për “korrigjime kufinjsh”, për përfshirjen e Luginës se Preshevës brenda kufinjve të Kosovës e gjëra të tilla të mëdha,  nja dy ditë u zhduk nga ekranet. “Hej bela me kët Ramushin” –thoshte me vete.  Kur doli, pas ca kohe, kur popullsia e Kosovës e përkrahu pa rezerva taksën, e pa që ka humbur terren dhe tha “Taksa është një masë e drejtë e vendosur nga Kadri Veseli dhe Enver Hoxhaj”.

Ndërkohë, një  zot  e di se si i është spjeguar Kryeministrit Vuçiç me të cilin darkonte në Bruksel për çështje të mëdha…

Kuptohej qartë që kurba e Ramushit po vinte në rritje, sondazhet e nxirrnin edhe më keq PDK-në. Ta rrëzonte Ramushin dhe të shpallte zgjedhjet ishte i humbur.

E vetmja rrugë ishte zbutja e Ramushit, ishin në të njëjtën varkë në mes të detit. Në këtë moment futet në lojë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama,  dhe fillojnë tratativat me darka informale e foto bajrakatarësh anadollakë nëpër sallone moderne…

Ramushi nuk po hante pykë as nëpër darka e as me ndërmjetës. Heqja e taksës ishte tema. Pas saj doli jo heqja por “pezullimi” i saj. Pezullimi…. Dmth t’ua heqim nja tre muaj sa të fusin mallra për dy vjet serbët e pastaj ua vëmë prapë…

Sikur janë budallenj dynjaja…

Dhe sa herë që Ramushi nuk pranonte, Thaçi me një nervozitet të skajshëm dilte e thoshte “Taksën e kanë vendosë Kadria me Hoxhajn”. Ani shumë mirë , thuaju pra ta heqin atyre meqë e kanë vu ata, pse po merresh me Ramushin.

Kështu edhe njerëzia qeshnin me Thaçin dhe kjo gjë u kthye në gallatë.

Ramushi ka veç një përparësi në këtë mes. Në një deklaratë publike ai tha “Taksa bie kur Serbia të njohë Kosovën dhe nga ky qëndrim nuk ka lëvizje”. Bën vaki që më vonë është bërë pishman për këtë deklaratë por, unë mendoj se ajo deklaratë deri tani e ka marrë peng Ramushin. Përtej faktit që Ramushi ka vërtetuar me rastin e demarkacionit me Malin e Zi që nuk është fort i qëndrueshëm, rezistenca e kësaj radhe i ka dhënë kredite të larta politike.

E në këtë situatë erdhi Samiti i Berlinit. Aty Kancelarja Merkel dhe Presidenti Makron ia vunë “kufirin tek thana” fëmijëve plangprishës Thaçi dhe Vuçiç. “Nuk keni punë ju me ndryshim kufinjsh” u thanë dhe e bënë Vuçiçin të deklarojë në publik: “Ëndërra ime për të marrë tokë nga Kosva ka vdekë njëherë e mirë”!

Kjo deklaratë e Vuçiç u pa  si fitore e madhe  e përkrahësve të idesë së mosndryshimit të kufinjve me në krye Haradinajn por edhe Opozitën e Kosovës dhe Shqipërisë. Dhe një humbje e thellë e Presidentit Thaçi dhe Kryeministrit Rama që e kishte përkrahur në heshtje…

Kjo është situate deri sot kur Presidenti Thaçi, i ftuar në një Samit në Tiranë fton gazetarin e Kazanit të Kazhanit, Metin, dhe i jep intervistë: “ Ëndrra ime për të bashkuar edhe Luginën e Preshevës dhe të gjithë shqiptarët kudo në një hapësirë mbarëshqiptare vazhdon e do të vazhdojë gjithmonë”!

Kështu i tha Metit. Nuk e spjegoi  sesi do e realizojë këtë aspiratë shekullore të shqiptarëve. Ndërsa kur Meti e pyeti: “Si e spjegon deklaratën e Vuçiçit që ai nuk do ta njohë kurrë , deri në vdekje Kosovën”, zoti Thaçi u përgjigj :”Kjo është një deklaratë populiste etj etj…”

Pra deklarata e Vuçiçit është populiste ndërsa deklarata e Thaçit për Preshevën është realiste!

Për ta mbyllë këtë diskutim, dikush më tha: “Ishalla po ia kujton dikush Thaçit që edhe Novi Pazari ka shqiptarë. Me këtë rast a mos bën diçka edhe për ata”.

SHPËRNDAJE