Një super operacion i rojës bregdetare greke ka çuar në sekuestrimin e një prej sasive më të mëdha të drogës të kapura ndonjëherë në Greqi.

Sipas rojës bregdetare greke, njësitë speciale të saj kanë bërë të mundur bllokimin e një gomoneje me sasinë e drogës, e cila vinte nga Shqipëria.

Aksioni u zhvillua në një zonë të gjerë. Fillimisht, rojet bregdetare ndoqën një gomone e cila ngarkoi lëndën narkotike në brigjet shqiptare.

Në vazhdim, drejtuesi i gomones iu drejtua brendësisë së kufirit grek dhe nëpërmjet Korfuzit, Gumenicës, Mesologjit, iu drejtua një plazhi në afërsi të Patrës, 200 km në veri-perëndim të Athinës, për të shkarkuar sasinë e lëndës narkotike.

Roja bregdetare deklaroi se forca të shumta të saj mundën të bllokojnë gomonen 11 metra të gjatë, me dy motorë 350 kuaj fuqi secili, sasinë e drogës 1000 kg dhe një automatik tip Kallashnikov me 70 fishekë.

Në tokë u arrestuan katër persona të tjerë, të cilët po prisnin ngarkesën në bordin e një furgoni me targa greke. Tre prej të arrestuarve janë shqiptarë, ndërsa njëri grek.

Sipas policisë, drejtuesi i gomones mundi të shpëtojë, duke u hedhur në det. Deri në këto momente ai nuk është gjendur nga agjentët e policise dhe motoskafëve të rojës bregdetare.

SHPËRNDAJE