Gjykatësi Bexhet Muçiqi, anëtar i trupit gjykues në rastin e njohur si “Bllaca 2”, është tërhequr nga paneli. Më herët, ai kishte kërkuar të lirohet nga ky proces, por kërkesa s’i është aprovuar. Të enjten, ai thjesht s’është paraqitur në gjykatë, madje e ka mbyllur dhe telefonin. Kryetari i panelit nga EULEX-i thotë se këso situate nuk ka hasur kurrë.

Rasti i njohur si Bllaca II, i paraparë të mbahej të enjten në objektin e Gjykatës Supreme të Kosovës, është shtyrë për të nesërmen, pasi gjykatësi vendas, Bexhet Muçiqi, është tërhequr nga paneli.

Muçiqi, anëtar i vetëm vendas në panelin e gjykatësve, të përbërë dhe prej Tore Thommason – kryetar dhe Laura Liguori – anëtare, ka vendosur ta lirojë vetveten nga ky proces, pasi Gjykata e Qarkut në Prishtinë më herët nuk ia kishte aprovuar kërkesën për tërheqje.

“Jemi përpjekur ta thërrasim në telefon, mirëpo nuk është përgjigjur”, ka deklaruar kryetari i trupit gjykues, Tore Thommason. Ai, këtë situatë, e ka përshkruar si “unike”, gjë që nuk i ka ndodhur asnjëherë më parë gjatë karrierës.

Mungesa e njërit nga anëtarët e panelit të gjykatësve pamundëson mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor. Kështu  kryetari Thommason është detyruar ta shtyjë shqyrtimin e sotëm, të planifikuar të fillonte nga ora 10.

Thommason tha se një gjykatës i tillë meriton ndëshkim disiplinor. “Por, unë nuk jam kompetent për këtë”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka provuar, po ashtu, që të kontaktojë gjykatësin Muçiqi, për të marrë veshe arsyet e tërheqjes së tij nga rasti, mirëpo telefoni i tij ishte i fikur.

Tani, sipas rregulloreve, pritet që organet kompetente si Gjykata e Qarkut në Prishtinë dhe Zyra e Prokurorit Disiplinor, të hapin rastin dhe të shqyrtojnë arsyet e tërheqjes së gjykatësit.

Në bazë të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, në rastet kur ndërrohet trupi gjykues apo ndonjë anëtar i trupit gjykues, gjykimi duhet të nisë nga fillimi.

Gjatë periudhës kur kryetari i Panelit Gjykues gjykues tregonte arsyet e shtyrjes së gjykimit, në sallën e gjykimit arrinin më vonesë i pandehuri kryesor, Fahredin Gashi, dhe avokati i njërit prej të pandehurve në këtë rast, Haxhi Millaku.

Disa avokatë u interesuan nëse propozimet e tyre të bëra në seancat e kaluara për dëshmitarë, janë pranuar nga gjykata. Mirëpo, kryetari i trupit gjykues deklaroi se ende nuk ka vendosur në lidhje me këtë.

Në seancën e sotme, ishte paraparë të dëshmonte një ekspert mjekësor. Seanca e radhës është caktuar të mbahet të premten, me fillim nga ora 10.

SHPËRNDAJE