Fury: Unë do ta thërrmoj sërish Klitschkon në ring

Boksieri britanik Tyson Fury ka një plan për të unifikuar të gjithë titujt botërorë të peshës së rëndë dhe të marrë pas gjerdanin e kategorisë IBF që humbi aforfe pak kohë më parë, pasi nuk pranoi sfidën e propozuar nga drejtuesit e saj. Në një intervistë për “Sky Sports”, Fury ka rrëfyer se pasi të mposhtë sërish ukrainasin Wladimir Klitschko në revanshin e planifikuar do të duelojë ndaj patriotit të tij Anthony Joshua.

Ky i fundit (Joshua) do të duelojë më 9 prill për titullin kampion bote të IBF-së ndaj kampionit aktual të kësaj kategorie, Charles Martin, raporton telesport.

“Unë do ta thërrmoj sërish Klitschkon në ring, ashtu si në përballjen e parë. Dhe, më pas, do të mposht edhe Joshua në ring, duke i marrë titullin që do të fitojë ndaj Martin”, ka thënë Fury, i bindur edhe në fitoren e Joshua ndaj Martin më 9 prill.

“Ky duel me Joshua do të jetë i mrekullueshëm për vendin tonë (të dy boksierët janë britanikë). Me të do të përballem pasi të kem mbaruar punë me Wladimir. Unë shpresoj që Joshua ta fitojë përballjen me Martin, pasi është një djalë dhe boksier i mirë”, shtoi më tej Fury, që edhe më parë ka shprehur simpati për të riun britanik. Si Fury ashtu edhe Joshua, deri më tani nuk kanë asnjë humbje në karrierë si profesionistë (24 fitore Fury, 15 fitore Joshua).

SHPËRNDAJE