Seanca e jashtëzakonshme e ambasadorëve të NATO-s për të diskutuar për rënien e dy raketave në Poloni, të cilat nuk dihet se nga janë lëshuar, ka filluar para pak çastesh në selinë e Aleancës në Bruksel, thanë diplomatët.

Seanca e sotme ishte paralajmëruar mbrëmë nga kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se është bërë me kërkesë të Polonisë, vend anëtar i Aleancës Veri-Atlantike, në territorin e të cilës ranë dy raketa, ku si pasojë humbën jetën dy persona.

“Është e rëndësishme të vërtetohen të gjitha fakte”, tha Sekretari i Përgjithshëm lidhur me shpërthimin vdekjeprurës që vrau dy persona.

Në anën tjetër, Ukraina akuzon Rusinë për incidentin, e Moska ka hedhur poshtë pretendimet se është përgjegjëse – duke pretenduar se shpërthimi ishte një provokim nga perëndimi.

Ushtria polake është në gatishmëri të lartë një ditë pasi raketat goditën një fshat pranë kufirit me Ukrainën.

Presidenti polak Andrzej Duda, theksoi se për momentin “nuk ka prova të qarta” se nga janë hedhur raketat, “që me shumë gjasa janë të prodhimit rus”.

“Hetimi është duke u zhvilluar”, shtoi ai duke bërë të ditur se bëhet fjalë për një incident të “izoluar”.

“Ekziston një probabilitet i madh që të përballemi me pasojat e veprimeve të Rusisë. Për herë të parë që nga fillimi i luftës, Polonia po i ndjen këto pasoja në lëkurën e saj sepse qytetarët polakë kanë vdekur,” tha Pawel Jablonski, zëvendësministër i Punëve të Jashtme.

Në fshatin polak Przewodowo, ku ranë raketat vranë dy persona, kurse forcat e sigurisë ngritën një gardh rreth zonës ku ato ranë, raporton AFP.

SHPËRNDAJE