1 nëntor, 2021 – Federata e Futbollit e Kosovës tash e një kohë e ka filluar procesin e digjitalizimit, derisa nga sot ka nisur edhe projekti për digjitalizimin e klubeve. Presidenti Agim Ademi sot e ka vizituar KF “Drita” në seancën stërvitore, me çrast është bërë edhe dorëzimi i pakos së katapultave, projekt ky mjaft i kushtueshëm por të cilin FFK ka nisur ta implementojë me qëllim të përkrahjes së klubeve dhe përfshirjes së tyre në procesin e digjitalizimit. Ky projekt do t’i ndihmojë trajnerët e klubeve në punën e tyre të përditshme dhe në rritjen e punës profesionale të ekipeve, ngase kjo paisje GPS i vendoset futbollistit nën fanellë dhe më pas nëpërmjet souftuerit përcjellet çdo lëvizje e tij dhe puna që ai bën gjatë stërvitjes apo ndeshjes.

 

Presidenti Ademi gjatë kësaj vizite, para futbollistëve dhe stafit të KF “Drita”, theksoi rëndësinë që FFK është duke i dhënë përmirësimit të kushteve për zhvillimin e futbollit në vendin tonë. Ai theksoi se FFK është duke punuar në strategjinë afatgjate dhe në kuadër të procesit të digjitalizimit ka vendosur t’i ndihmojë edhe klubet me projektin e katapultave. “Ky është një projekt mjaft i kushtueshëm, por duke ditur vështirësitë me të cilat ballafaqohen klubet kemi dashur që t’i ndihmojë ato me këtë projekt, që ndihmon pikësëpari futbollistët në përmirësimin e tyre profesional. Po ashtu, këto pajisje ofrojnë shumë mundësi për stafin e trajnerëve për të ndjekur në mënyrë sa më profesionale punën e secilit futbollist dhe njëherësh në aspektin e përgjithshëm ndihmon edhe në rritjen e cilësisë së ligës”, ka thënë presidenti Ademi. Ndërkaq, në emër të klubit presidentin Ademi e ka falënderuar drejtori Feti Murseli për këtë projekt dhe për ndihmën që FFK po i jep klubeve në të gjitha aspektet. Ai ka thënë se klub e kanë pasur në agjendë blerjen e këtyre pajisjeve, por kur do të arrinin ta realizonim këtë nuk dihej, ngase janë pajisje mjaft të kushtueshme. Shpërndarja e katapultave do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme për klubet e tjera të Superligës. Sistemi i tillë GPS përdoret vetëm në vendet më të zhvilluara, teksa Kosova bëhet ndër vendet e para në Ballkan që fillon me përdorimin e këtij sistemi nga të gjitha klubet e elitës

SHPËRNDAJE