SWITZERLAND UEFA SOCCER SERBIA ALBANIAFutbolli kosovar po i numëron ditët e fundit në izolim. Federata e Futbollit bashkë me Qeverinë po e vazhdojnë lobimin për t’i siguruar votat e mjaftueshme për pranim në UEFA. Në FFK dhe Qeveri besojnë se do të arrijnë t’i sigurojnë së paku 28 vota të nevojshme për anëtarësim në UEFA, në Kongresin e 3 majit, kur futbolli kosovar do ta hapë një kaptinë të re në historinë e tij të bujshme

Pranimi i Kosovës në UEFA e FIFA duket se është çështje ditësh apo javësh. Sot dy muaj, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) mund ta marrë përfundimisht “aminin” për t’u futur nën ombrellën e Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) e më pas, automatikisht edhe në Federatën Ndërkombëtare (FIFA), shkruan sot Gazeta Zëri.

Drejtuesit e FFK-së janë duke lobuar qe një kohë dhe presin që kjo t’ju shpërblehet më 3 maj, kur do të mbahet edhe Kongresi i UEFA-s. Ata janë të bindur se më në fund futbollit kosovar do t’i hapen dyert dhe do të thyhet përfundimisht izolimi.

Zëri shkruan se shtëpia e futbollit kosovar e di saktë se sa “kokrra” i duhen për ta siguruar pranimin, prandaj është duke i bërë llogaritë e fundit. “FFK-ja ka lobuar me të madhe dhe ka marrë premtime se do të marrë vota, me secilin delegacion të federatave, me të cilët është takuar. Madje, vendet si Turqia, Maqedonia, Sllovenia etj, kanë premtuar se përpos votave të tyre do të lobojnë edhe tek vendet e tjera që ato të votojnë në favor të Kosovës. Premtime ka sa të duash, por nuk guxojmë të festojmë para kohe, pasi gjithçka do të vendoset më 3 maj, ku ne do të jemi gjithsesi në rend dite”, ka deklaruar FFK-ja për “Zërin”.

“Nga 54 federata, neve na mjafton 51-përqindëshi për t’u pranuar, që i bie 28 vota. Nëse i llogarisim vetëm vendet që na kanë njohur si shtet, do të na mjaftonte për t’u pranuar. Por, vendimin mund ta njohim vetëm pas dy muajsh”, shton FFK-ja.

Në anën tjetër, gazeta ka provuar të kontaktojë me Ministrinë e Punëve të Jashtme, por kjo ka qenë e pamundur. Mirëpo, “Zëri” kishte biseduar kohë më parë me Ardian Arifajn, këshilltar i lartë në Ministrinë e Jashtme, e cila shihet si një krah i djathtë i FFK-së në këtë proces. “MPJ-ja është e përfshirë dhe duke lobuar intensivisht për anëtarësim të Kosovës edhe në UEFA dhe në FIFA. Duhet pasur parasysh që votat në UEFA janë të federatave që janë të pavarura nga politika. MPJ-ja në të gjitha takimet argumenton fuqishëm dhe bindshëm me argumente shumë të qëndrueshme pse Kosova e meriton të pranohet edhe në UEFA e në FIFA”, kishte deklaruar Ardian Arifaj.

Ndërkohë Muharrem Sahiti, nga Ministria e Sportit, thotë se ky institucion e ka bërë maksimumin për t’i dhënë krah FFK-së drejt pranimit të shumëpritur në UEFA e në FIFA. “Ministri ka bërë punë jashtëzakonisht të madhe në këtë drejtim. Ne si MKRS i kemi kryer obligimet me përpikëri rreth lobimit dhe presim të zyrtarizohet pranimi i Kosovës në UEFA e FIFA. E kemi kryer obligimin material, moral dhe organizativ. Tash presim që lobimi i bërë të shpërblehet, pasi mendojmë se ka ardhur koha”, thotë këshilltari për sport i ministrit, Kujtim Shala.

Në FFK janë të bindur se menjëherë pas pranimit në UEFA Kosovës do t’i lejohet pjesëmarrja në kualifikimet për “Botërorin 2018”, që do të mbahet në Rusi. Madje, shtëpisë së futbollit kosovar i është premtuar një gjë e tillë, madje palës kosovare i është treguar edhe grupi se në cilin do të vendoset./Zëri/

SHPËRNDAJE