Prof. Dr. Beqir Ismaili,  pionieri i botës së mendimit dhe të kulturës është dhe autor i mjaft veprave të shquara letrare, historike, kulturore dhe gjuhësore. Pikërisht, për këtë kontribut të çmuar, jo vetëm për vendin e tij por për mbarë botën, si dhe pas një vlerësimi të lartë nga shumë personalitete të botës së shkencës dhe të kulturës, Këshilli Drejtues i  “Shoqatës Egjiptiane për Studime Historike” mori vendim  që t’a nderojë atë si Personaliteti i vitit 2011, me “Stemën e Shoqatës”, njofton Alba Press na Kairo. Prof. Ismaili është anëtar i kësaj shoqate që prej 28.02.2004. Kjo shoqatë, ashtu si shumë të tjera, ka përfituar nga dija dhe studimet e Prof. Ismailit, të cilat prej një kohe të gjatë kanë qenë furnizuesë të lëvizjes përparimtare të mendimit, kulturës e historisë, në nivel ndërkombëtar.

Prof. Dr. Beqir Ismaili, është i pari shqiptar që nderohet me këtë dekoratë dhe njëkohësisht është dhe kontribuesi i parë nga Kosova, që dha ndihmesën e tij për të njesuar idetë dhe synimet e Shoqatës, me nevojat historike, studimore dhe kulturore.

Në mes duartrokitjeve të të pranishmëve, Prof. Ismailit , iu dorëzua “Stema” nga Kryetari i Shoqatës Prof. Dr. Adil Gunejm-i.

Prof. Ismaili, falenderoi kryetarin e Shoqatës dhe Këshillin e saj, për këtë vlerësim duke theksuar se ai ndihej krenar dhe se nuk e sheh këtë si vlerësim personal, por si një vlerësim që i bëhet popullit shqiptar në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti.

Në vazhdim të aktivitetit, që shënonte dhe fundin e aktiviteteve për vitin 2011, Shoqata  Egjiptiane për Studime Historike mbajti një simpozium  shkencore për Çështjen e Kosovës. Ligjërues në simpozium ishin Prof. Dr. Beqir Ismaili, Drejtori i simpoziumit Prof. Dr. Abdulmunim Xhimii, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës dhe Moderatori i seminarit, Prof. Dr. Xhemal Shekre, Drejtor i Qendrës për Kërkime dhe Studime të pavarura në Lindjen e  Mesme, në Universitetin e Ainush- Shams-Kairo.

Në fjalën e tij, Prof. Ismaili, bëri fillimisht një përbledhje të shkurtër historike mbi Kosovën, duke vënë theksin në gjendjen e Kosovës pas lufte deri në Pavarësi. Më pas Prof. Ismaili foli për marrëdhëniet e Kosovës me botën islame në përgjithësi, si dhe për njohjen e Kosovës nga  këto vende e veçanërisht domosdoshmërinë e kësaj njohje nga Egjipti. Në fund ligjërata u shoqërua me pyetje të shumta të cilave Prof. Ismaili iu përgjigj me maturi dhe pjekuri, duke shfrytëzuar momentin për t’i bërë thirrje ndërgjegjes intelektuale për të thënë të vërtetën mbi Kosovën dhe shqiptarët dhe për ta pranuar pavarësinë e saj, aq shumë të merituar. Kjo thirrje gjeti miratimin e gjithë të pranishmëve të cilët përshëndetën përzemërsisht Prof. Ismailin dhe popullin e Kosovës.

Shoqata Egjiptiane për Studime Historike është themeluar në Korrik të vitit 1945, me një Dekret Mbretëror për krijimin e shoqatës së 30– të mbretërore për studime historike. Që nga ajo kohë e deri tani, shoqata është burim i mendimit historik që i shërben botës intelektuale në shumë fusha dhe njëkohësisht ka një ndikim të madh tek personalitetet botërore të historisë. Kontributi i saj për çështjen e Kosovës, ka qenë dhe mbetet i pamohueshëm.

SHPËRNDAJE