Tarifa në rrugën e kombit, e cila inkasohet nga oligarku Shefqet Kastrati, të cilit autoritetet shqiptare ia kanë besuar mirëmbajtjen e autostradës që çon në Kosovë, duket se nuk është hequr plotësisht për ata që bartin ndihma për të prekurit nga tërmeti. Një person i besueshëm i ka treguar Gazetës Express se dje ka udhëtuar drejt Kosovës për të sjellë ndihma për familjen Abazi në Livoç, por është detyruar të paguaj 5 euro në sportelin e Kastratit.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u bë nervoz me kërkesat dhe thirrjet që u dëgjuan në Kosovë e Shqipëri që të heqet tarifa rrugore pasi ra tërmeti në mënyrë që ata që dërgojnë ndihma për të prekurit nga tërmeti në Durrës të mos detyrohen të paguajnë. Ai madje i tha në sy Behgjet Pacollit që t’ua shpjegojë kosovarëve që të mos e kërkojnë heqjen e taksës duke thënë se ata që vendosin të dërgojnë ndihma do t’i paguajnë edhe tarifat e caktuara.

Por, Rama u befasua kur vetë koncesionari në mbrëmje njoftoi se ka marrë vendim që ta heq tarifën për ata që shkojnë për të dërguar ndihma. Madje Gazeta Express njofton se oligarku Shefqet Kastrati për këtë ka pranuar një telefonatë të pakëndshme nga Edi Rama. Por, pas njoftimit të Kastratit se “tragjedia shqiptare e ka prekur shumë dhe se ka dhënë urdhër që askush që con ndihma mos të paguaj” e ku po ashtu njoftohej se ai dhe familja kanë dhënë 1.5 milion euro për të prekurit nga tërmeti, duket se “urdhëri” nuk po zbatohet në plotëni.

Një person (emër i njohur për gazetën), që ka ardhur nga Shqipëria për të sjellë ndihma tek familja Abazi në Livoç të Gjilanit,  e cila humbi dy djemtë e saj nga goditja e tërmetit në Durrës, ka bërë me dije se se kur ka mbërritur te sportelet e pagesës së tarifës rrugore ka treguar se po shkon në Kosovë për të dërguar ndihmë financiare për familjen Abazi nuk është marrë fare parasysh nga punëtorët e Kastratit. Shoferit të makinës me këtë rast  u është kërkuar një vërtetim se po dërgon ndihma.

“Më kërkuan një vërtetim kur u thashë po shkoj në Kosovë për të dërguar ndihma në Gjilan” tregon bashkëbiseduesi i Gazetës Express.

Vërtetemi mbase duhet të jetë ndonjë gjetje e biznesmenit Kastrati pasi deri më tani askush nuk është në dijeni se kush lëshon vërtetime të tilla. Në Kosovë janë duke ardhur ende familje të prekura nga tërmeti. Sot ndërkaq Kryeministri Haradinaj njoftoi se tashmë kanë filluar keqpërdorimet duke thënë se tani në Kosovë po vijnë edhe ata që nuk janë prekur pasi po u premtohet se nga ish-kampi gjerman i KFOR’it (parku inovativ), ku janë strehuar qindra persona, po u premtohen se do të dërgohen në Gjermani.

SHPËRNDAJE