Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama si duket e ka në plan të qërojë hesapet me mediat teksa Shqipëria po përballet me pasojat e tërmetit të tmerrshëm që goditi bregdetin shqiptar në zonën e Durrësit dhe disa pjesë tjera. Teksa vetë po e kalon kohën më të madhe live duke u bërtitur bashkëpunëtoreve që të mos i shkojnë prapa, ai ka lëshuar kërcënimin e dytë ndaj mediave duke thënë: Mos na detyroni ta bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata.

Pa e dhënë asnjë shembull të ndonjë shkelje eventuale nga ana e mediave të cilat po raportojnë për gjendjen në zonat e prekura përfshirë edhe kryeqytetin shqiptar, ku shumë banorë nuk po guxojnë të futen “në pallatet” e tyre, Rama ka bërë një kërcënim të ashpër duke thënë “Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata.

Ky është “apeli” kërcënues i Kryeministrit

APEL I DETYRUAR MEDIAVE

Gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore, Japonia ka masa ekstreme për mediat private, që mesa duket edhe në Japoninë e urtësisë së vjetër, paskan qenë taksirat mbi taksiratin e madh të tërmetit! Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata!

Filtroni informacionet dhe verifikoni ato që thoni! Menaxhoni debatet dhe ndaloni klithmat nëpër studiot tv dhe përfshihuni në qetësimin e shpirtrave të goditur më keq se banesat! Kontribuoni për të kanalizuar energjinë e jashtëzakonshme të solidaritetit mbarëshqiptar!

Kjo është koha për kurimin psikologjik të popullit që ju ndjek dhe jo për rrenat e shamatatë karakteristike të veprimtarisë së zakonshme të një pjese të madhe të sferës suaj!

SHPËRNDAJE