Në pritjen solemne që u mbajt sonte në Ipeshkvinë e Kosovës, krye ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji tha se duhet të gjejmë dashurinë dhe guximin për të ecur drejt të ardhmes.

Në ceremoninë, ku ishin të pranishëm shumë mysafir si nga jeta politike dhe ajo civile, Imzot Dodë Gjergji theksoi se për të ecur drejtë së ardhmes duhet të gjejmë arsyen për t’u gëzuar në çdo moment, në mënyrë që të ecim drejt paqes.

Don Dodë Gjergji: Ta shndërrojmë botën në një vend më të sigurt

“Për neve është gjithmonë kënaqësi kur e bashkëndajmë këtë natë të shenjtë, me miq dhe me dashamirë. Sepse siç e kam thënë në porositë e mia, ne kemi kaluar dhjetë vite së bashku, në ecjen tonë drejt të ardhmes dhe me punën tonë për të dërguar kishën, popullin dhe Kosovën në një të ardhme më të mirë. Sot sigurisht na rrethojnë shumë gjëra për të cilat duhet të trishtohemi për shkak të luftërave të këqija, por ne që besojmë e gjejmë arsyen për t’u gëzuar në çdo moment dhe forca e gëzimit të krishterë është siguria e brendshme e shpirtit, e dashurisë, paqja e brendshme e njeriut dhe guximi i tij për të ecur drejt të ardhmes, përmes vështirësive të jetës dhe të këqijave të botës, në mënyrë që të shndërrojmë botën në një vend më të sigurt, ku ka më shumë paqe dhe dashuri, e sidomos vendin tonë”, tha Dodë Gjergji.

Kjo ceremoni u mbajt me rastin e Vigjiljes së Krishtlindjeve në rezidencën e Ipeshkvisë pranë Katedrales “Nënë Tereza”, me rastin e Festës së Krishtlindjes të vitit 2016.

SHPËRNDAJE