09 Mars, 2019 Nënsekretari amerikan për Çështje Politike, David Hale, sot ka arritur në Kosovë për të zhvilluar takime me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në prani të ambasadorit amerikan Philip Kosnett, kanë zhvilluar një takim në rezidencën amerikane në mëngjesin e së shtunës me nënsekretarin David Hale. Pas takimit, liderët nuk kanë pranuar të flasin para medieve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha shkurt se gjatë ditës do të zhvillojë një konferencë për medie.

Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, David Hale, të premten ka qëndruar në Beograd. Gjatë takimit me kryeministrin Aleksandar Vuçiq, Hale iu bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndalin provokimet dhe të rivendosin dialogun,e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel. Nga autoritetet në Prishtinë, ai kërkoi heqjen e tarifës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

“Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për heqjen e tarifës, ndaljen e provokimeve të dyanshme dhe vazhdim të dialogut. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin me Serbinë dhe dëshirojnë të ndërtojnë raporte edhe më të fuqishme”, u tha përmes një postimi në Twitter nga ambasada amerikane në Beograd, pas takimit.

Koalicioni qeverisës në Kosovë nuk po arrin të gjejë ndonjë zgjidhje për ta përmbushur kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për pezullimin e tarifës doganore, si hap i domosdoshëm për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse brenda vitit 2019, e cila do të përfundojë me njohje reciproke. (M.A)

SHPËRNDAJE