09 Mars, 2019 Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Faruk Mujka, ka njoftuar nepërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook se protesta me moton”TUNELI I BLLOKUAR, MITROVICA E NGUJUAR” e thirrur për sot nga VV për tunelin e bllokuar nuk do të mbahet.

Sipas tij ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka dhënë një premtim publik për rregullimin e këtij tuneli.

“Fatmirësisht përgjegjësit e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, në krye me ministrin Pal Lekaj, duke e ditur seriozitetin e angazhimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe këmbënguljen e qytetarëve kanë reflektuar menjëherë dhe pas dy ditësh nga paralajmërimi i protestës kanë rifilluar punimet në sanimin e tunelit me premtim publik se do të përfundoj për 25 ditë”.

Mujka me këtë rast shtoi se i pari i Infrastrukturës ka kërkuar që kjo protestë të mos përdoret politikisht, dhe të mos pengohen punimit.

I pari i Vetëvendosjes në Mitrovicë ndër të tjera theksoi:

“Për ta bindur se kjo protestë nuk ka fare të bëj me interesa partiake, ne e sigurojmë ministrin Lekaj se do ta pezullojmë protestën deri në fund të muajit, por nëse punët nuk përfundojnë deri atëherë përgjegjës kryesorë do të jetë ai e jo punëkryesi dhe se përgjegjësia do të kërkohet direkt prej tij. Duam ta potencojmë se arsyeja pse insistojmë në përfundimin e shpejtë të punimeve, pos atyre që u përmendën më lartë, është edhe afrimi i kohës kur vijnë mërgimtarët. Nëse ky problem nuk zgjidhet së shpejti, atëherë do të kemi një verë vështirë të përballueshme nga kaosi në trafik dhe frustrimi i rritur i qytetarëve”.

Ky reflektimi i Ministrisë na bind se kërkesa jonë ka qenë plotësisht legjitime, serioze, e mirëpritur dhe e përkrahur nga qytetarët. Është shembull tipik se aktivizmi qytetar në drejtimin e duhur gjithmonë jep rezultate dhe se Lëvizja është gjithmonë pranë dhe për qytetarin, shkruan në fund të njoftimit Mujka. /PreshevaJone (M.A)

SHPËRNDAJE