Kryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se situata në Preshevë është e qëndrueshme dhe se heqja e djeshme e monumentit të luftëtarëve të UÇPMB-së nuk mund të jetë një problem për shtetin e Serbisë, raporton Agjencia Anadolija.

Duke folur me gazetarë pas një konference për bashkëpunim mes zyrtarëve ndërlidhës të misioneve të huaja në Beograd, Dacici ka thënë se qeveria e Serbisë nuk mund të priste heqjen e memorialit për shkak se ai ishte i vendosur të mënyrë të paligjshme.

“Askush nuk ka të drejtë t’i jap mësime Serbisë për këtë çështje”, tha ai.

Duke komentuar protestat e shqiptarëve në Preshevë, ai theksoi se aty janë vënë “flamuj të Shqipërisë”.

“Kjo në fakt do të thotë se Kosova është shtet i rremë… Prandaj, unë kam thënë se duhet të negociojmë me Shqipërinë”, ka thënë ai, duke shtuar se heqja e lapidarit në Preshevë “nuk ka lidhje me të drejtat dhe liritë e njeriut”.

Duke komentuar kërkesat që çështja e shqiptarëve në Preshevë të zgjidhet si çështja e serbëve në veri të Kosovës, ai tha se më herët ka propozuar shkëmbimin e territorit, por se askush nuk e ka dëgjuar.

“Për më tepër, në këtë aspekt jam kritikuar edhe në Serbi, e këtë nuk e ka pranuar as bashkësia ndërkombëtare”, tha Dacici. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE