Futbollisti i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka shprehur besimin se në përballjen e radhës kundër Francës të përzgjedhurit e Josip Kuzhes do të japin maksimumin në fushë.

http://www.botasot.info/img/loriku-kucezi.jpgAi ka thënë se ndeshja kualifikuese për Euro 2012 kundër Francës bart shumë rreziqe, sidomos duke parë mungesat që ka Shqipëria.

“Kjo ndeshje është shumë e veçantë dhe sjell shumë krenari për mua. Gjithë këto mungesa po qëllojnë në ndeshjen më të fortë, disa lojtarë që mungojnë nuk kemi luksin t’i zëvendësojmë. Ne do ta startojmë ndeshjen me një formacion që nuk ka luajtur asnjëherë bashkë. Mund të pësojmë një disfatë shumë të rëndë dhe kjo nuk është një surprizë e madhe”, ka thënë mesfushori i kombëtares.

Përpos kësaj, Cana deklaron se futbollistët që do të zbresin në fushën e lojës do të japin maksimumin dhe sipas tij, ata duhet të ndjejnë peshën e fanellës.

“Nuk duhet të mendojmë të shkojmë atje për të kaluar një natë të bukur, por ata çunat që do të zbresin në fushë do të japin maksimumin, do të luajnë pa komplekse dhe të dalin me kokën lart. Duhet të japim një imazh të bukur të vendit tonë, sidomos pas humbjes me Luksemburgun”, ka thënë ai.

Ndryshe, Shqipëria ka humbur gjasat për një kualifikim të mundshëm për evropianin që vitin e ardhshëm do të mbahet në Poloni dhe Ukrainë.

SHPËRNDAJE