bedahkolaaPreshevë, 2 tetor  -Një mosmarrëveshje e gjatë politike mbi librat shkollorë shqiptarë për nxënësit e pakicës etnike në Serbi ka bërë që shumë prej tyre të mos marrin mësime të sakta në gjuhën mëmë, shkruan bprtali gjerman alkaninsight (BIRN) , transmeton agjencia e lajmeve “Preshevajonë”

 

Shkolla fillore “Ibrahim Kelmendi” në Preshevë është shkolla më e madhe në qarkun Pcinji dhe një nga më të mëdhatë në Serbi. Shkolla ka 1,600 nxënës, dhe në shikim të parë, nuk është ndryshe nga shkollat e tjera të ngjashme. Një ndërtesë e madhe, pak e shkatërruar, por siç duket, e rinovuar së fundmi, ajo dallon nga një varg ndërtesash të ngjashme përgjatë rrugës kryesore në Preshevë.

Klasat duken të zakonshëm – një dërrasë ku mësuesit të shkruajnë, banka, karrige dhe dollape. Vetëm mësimet duken pak më ndryshe, sepse këtu mësuesit vetëm diktojnë ndërkohë që fëmijët mbajnë shënime.

Mësimet zhvillohen në këtë mënyrë, sepse nuk ka tekste shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë në Serbi – rezultat i një mosmarrëveshjeje disa vjeçare mbi faktin nëse tekste të tilla shkollore duhet ekzistojnë, dhe nëse po, çfarë duhet të përmbajnë ato, sidomos librat për mësimdhënien e historisë, gjeografisë dhe lëndë të tjera që do të preknin çështjet shqiptare, të cilat janë shumë të ndjeshme në Serbi.

Autoritetet serbe druhen se tekstet shkollore mund të promovojnë ide politike të papranueshme, siç është pavarësia e Kosovës.

“Ju doni që tekste shkollore nga Kosova ose Shqipëria të përdoren në Serbi dhe doni që nxënësit në Serbi të mësojnë se Kosova është e pavarur … Kjo nuk do të jetë e mundur,” tha ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç në dhjetor.

Por Zejni Fejzulah, drejtori i shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc tha se fëmijët që flasin shqip po diskriminohen në Serbi.

“Nxënësit serbë që jetojnë në Kosovë kanë kurrikula mësimore serbe dhe ata nuk kanë asnjë problem për të siguruar tekste shkollore nga Serbia. Pse ne nuk duhet të lejohemi të marrim libra në gjuhën shqipe?” pyeti Fejzulahu.

ër të zgjidhur sa më shpejt problemin e mosekzistencës së teksteve shkollore në gjuhën shqipe, Këshilli Kombëtar i Pakicës Kombëtare Shqiptare – përfaqësuesi i njohur nga shteti i shqiptarëve të Serbisë – vitin e kaluar i bëri thirrje për ndihmë ministrisë së arsimit të Kosovës. Ai kërkoi një donacion tekstesh shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit në jug të Serbisë.

Ministria e arsimit e Kosovës dërgoi një kamion që mbante një total prej 103,222 tekstesh shkollore, por kur ai arriti zyrën doganore serbe në Preshevë, u mbajt atje për gjashtë muajt në vazhdim.

Kryetari i Këshillit Kombëtar, Jonuz Musliu, i bëri disa herë thirrje ministrisë së arsimit të Serbisë, si dhe kryeministrit, por ata thanë se tekstet shkollore të kontestuara nuk mund të lejoheshin të hynin.

Në mars, kamioni u kthye në Kosovë dhe Musliu organizoi protesta në qytetet jugore të Bujenovacit dhe Preshevës, duke thënë se Serbia po shkelte të drejtat e pakicës së saj shqiptare duke mos i lejuar nxënësit të mësojnë gjuhën e tyre të parë.

Por Besa Sahiti, drejtoreshë e shkollës fillore “Ibrahim Kelmendi” në Preshevë, tha se pretendimi se fëmijët shqiptarë etnikë në Serbi nuk kanë tekste në gjuhën e tyre të parë nuk është i vërtetë.

“Ne kemi libra, por çështja është se çfarë mungon në ata libra. Fëmijët duhet të mësojnë historinë e vendit të tyre, të popullit të tyre. Ata duhet të këndojnë këngë shqiptare, por fëmijët tanë nuk e kanë këtë mundësi tani,” tha Sahiti për BIRN.

Nga viti 2010 deri në vitin 2014, ministria serbe e arsimit, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar dhe Trupin Koordinues për Preshevën, Bujanovacin dhe Medvedjan, një organ shtetëror që koordinon komunikimin midis përfaqësuesve shqiptarë dhe zyrtarëve serbë, siguroi 88 tekste shkollore në gjuhën shqipe për nxënës në shkollat fillore dhe të mesme.

Libra për klasat nga e para tek e katërta u siguruan nga Shqipëria, tha Sahiti. Për lëndë të diskutueshme, mësuesit përgatisin shënime nga tekste shkollore në gjuhën serbe, të cilat ata i përkthehejnë në shqip dhe më pas ua diktojnë nxënësve gjatë orëve të mësimit.

Lëndët si gjeografi, histori, art dhe muzikë janë të diskutueshme, sepse ato janë fusha në të cilat versionet shqiptare dhe ato serbe bien ndesh. Në orët shqiptare të gjeografisë, Presheva, Bujanovaci dhe Medvedja janë pjesë të “tokës shqiptare” – një përshkrim që është i papranueshëm për autoritetet serbe.

Një problem historik

 

SONY DSCIsh-kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, tha se problemi me tekstet shkollore ka ekzistuar për dekada me radhë.

“Ky problem filloi në kohën e Millosheviçit, por asnjë qeveri nuk ka guxuar t’i kthejë shqiptarëve të drejtën për të pasur tekstet e tyre shkollore,” tha Mustafa.

Ai megjithatë pranoi se nuk ishte krejtësisht e saktë që nxënësit shqiptarë nuk kanë libra në gjuhën e tyre amtare.

Tekstet shkollore për mësimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe janë importuar nga Shqipëria, tekste të tjera janë përkthyer nga gjuha serbe në gjuhën shqipe dhe disa janë shkruar nga autorë nga Presheva.

Përveç kësaj, janë siguruar edhe katër tekste shkollore për gjuhën dhe letërsinë shqipe për shkollat e mesme dhe dy për atë parashkollor, por mungojnë ende një total prej 140 tekstesh për shkollat e mesme.

Drejtori i shkollës në Bujanovac, Zejni Fejzulah, i cili është edhe kryetari i komisionit të arsimit në Këshillin Kombëtar të Komunitetit Kombëtar Shqiptar, tha se rreth 10,000 nxënës që ndjekin mësimet në gjuhën shqipe në komunat e Bujanovacit, Preshevës dhe Medvedjës po vujnë për shkak të mungesës së teksteve.

Ai tha se zgjidhja më e mirë do të ishte importimi i teksteve shkollore nga Kosova, sepse kurrikula mësimore shqiptare dhe struktura e arsimit është ndryshe nga ajo serbe në shumë drejtime.

Por kreu i Trupit Koordinues, Zoran Stankoviç, këmbënguli se burimi duhet të jetë Shqipëria dhe jo Kosova.

“Ne po përkrahim idenë e marrjes së sa më shumë teksteve shkollore nga Shqipëria të cilat kalojnë procedurën e përcaktuar sipas ligjit dhe që nuk kanë përmbajtje të kontestuar, siç janë historia dhe gjeografia,” tha Stankoviç.

Por edhe pse Këshilli Kombëtar ka të drejtë të propozojë tekste të akredituara nga ministria e arsimit e Serbisë, ai nuk ka propozuar asnjë nga Shqipëria për shkak se dëshiron që librat të vijnë nga Kosova.

Këndvështrimi nga Beogradi

Zyra e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, thotë se pretendimet që nxënësit shqiptarë nuk mund të arsimohen në gjuhën e tyre amtare janë shumë të ashpra.

Ajo u shpreh se qindra fëmijë janë shkolluar në gjuhën shqipe gjatë vitit të kaluar shkollor dhe tha se ka pasur edhe bursa për disa nxënës.

Nxënësit që ndjekin mësimet në gjuhën shqipe në Serbi, pasi të mbarojnë shkollën e mesme, mund vazhdojnë arsimimin në gjuhën serbe apo shqipe, në fakultetet e ngritura nga Universiteti i Novi Sadit në Medvedja dhe Bujanovac.

Trupi Koordinues i jep bursa gjithashtu bursa atyre që duan të vazhdojnë studimet e tyre në Novi Sad, dhe që nga viti 2011, janë dhënë bursa për 27 shqiptarë nga Presheva dhe Bujanovaci.

Një nga studentët që mori bursë ishte Dafina Aliji, e cila studioi turizëm dhe menaxhim biznesi në Novi Sad.

“Mendoj se vendimi për të studiuar në Novi Sad ishte një nga më të mirët në jetën time. Profesorët, kolegët dhe të tjerët në Novi Sad kanë bërë përpjekje maksimale për ta bërë qëndriin tim komod dhe të këndshëm,” tha Aliaj për BIRN.

Pas përfundimit të studimeve të saj, ajo u rikthye në qytetin e saj të lindjes, Ranjice, dhe aktualisht punon si asistente për refugjatët në një organizatë ndërkombëtare në Preshevë.

Por ajo tha se shumë nga shokët e saj të klasës nuk aplikuan për bursa në Novi Sad për shkak të njohurive të tyre të dobëta të gjuhës serbe.

Për shkak të njohurisë së pamjaftueshme të gjuhës serbe dhe dëshirës së tyre për të studiuar në gjuhën mëmë, nxënësit shqiptarë nga jugu i Serbisë kryesisht zgjedhin të studiojnë në Kosovë, Tetovë në Maqedoni ose në Shqipëri.

Të drejtat e garantuara me ligj

Një studim për mundësitë e përmirësimit të mësimdhënies së serbishtes si gjuhë e dytë në komunat e Bujanovacit, Preshevës dhe Medvedjës, e kryer me kërkesë të Trupit Koordinues, tregoi se pasi largohen nga shkolla, shumica e njohurisë së gjuhës serbe si gjuhë të dytë nga ana e shqiptarëve është në nivele të tilla saqë edhe komunikimi bazë nuk është i mundur.

Me ndihmën e Trupit Koordinues, OSBE-së dhe ambasadës britanike në Serbi, ministria e arsimit nisi një program për të mësuar gjuhën serbe, që ajo tha se kishte bërë përmirësime të dukshme në njohuritë e nxënësve.

Kushtetuta serbe i garanton pakicave etnike jo vetëm të drejta individuale, por edhe kolektive, që do të thotë se ata kanë të drejtë për të vendosur për çështje të caktuara që kanë të bëjnë me kulturën dhe arsimin e tyre, si edhe me përdorimin zyrtar të gjuhës së tyre.

“Në këtë mënyrë, për një kohë të gjatë tani, politika e minoriteteve në bazë të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor të pakicave kombëtare, së bashku me integrimin e tyre në shoqërinë dhe vendet e punës në sektorin publik, ka qenë e vazhdueshme në vendin tonë. Të njëjtat rregulla aplikohen edhe për pakicën kombëtare shqiptare,” tha Zyra për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave.

Zëvendës Avokati i Popullit Robert Sepi argumentoi ndërkohë se në krahasim me pakicat e tjera në Serbi, shqiptarët janë relativisht të integruar, edhe pse ndonjë problem ka tendencë të politizohet.

“Në lidhje me integrimin e pakicës kombëtare shqiptare, Avokati i Popullit mund të flasë vetëm nga këndvështrimi i njerëzve që i janë drejtuar zyrës së Avokatit të Popullit, si dhe bazuar në rezultatet e arritura në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të tyre. E parë në këtë këndvështrim, pakica kombëtare shqiptare, me disa përjashtime që marrin vëmendjen e mediave, është e integruar,” tha për BIRN Sepi.

“A ka pengesa dhe rezistencë ndaj këtij integrimi?” Po, nga të dyja anët, shumë i vazhdueshëm dhe i fortë, e cila tërheq vëmendjen e medias,” shtoi ai.

Jonuz Musliu dhe ish-kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa të dy këmbëngulin se Serbia diskriminon fuqimisht kundër shqiptarëve dhe të dy kanë folur publikisht disa herë mbi faktin që Kosova dhe jo Serbia është vendi i tyre.

Megjithatë, Skender Saqipi, redaktor i përgjithshëm i Titulli.com, një faqe interneti në dy gjuhë, shqip dhe serbisht, lajmesh në Bujanovac, tha për BIRN se edhe pse Beogradi kishte faj për problemin e teksteve shkollore, politikanët në zonat me shumicë shqiptare të vendit po i përdorin gjithashtu këto çështje për qëllime politike.

Qeveria serbe është kryesisht përgjegjëse dhe fajtore për këtë situatë, sepse nuk kishte mjaftueshëm dëshieë për ta zgjidhur këtë problem, por nga ana tjetër, e vërteta është se politikanët shqiptarë janë gjithashtu pjesë e problemit, duke qenë se nuk kanë një plan të qartë për të zgjidhur problemin e teksteve shkollore,” tha Saqipi për BIRN.

Një zgjidhje në horizont?

Jeff Bieley, koordinator i OSBE-së në Bujanovac, tha se shqiptarët e Serbisë kishin të drejtë të arsimohen në gjuhën e tyre amtare, por qeveria dhe Këshilli Kombëtar i Minoritetit Kombëtar Shqiptar, duhet fillimisht të arrijnë një marrëveshje në lidhje me atë që duhet të bëjnë me tekstet shkollore.

“Problemi i teksteve shkollore është një temë tepër e rëndësishme për t’u zgjidhur, por gjithçka duhet bërë në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Minoritetit Kombëtar Shqiptar dhe autoriteteve përkatëse,” tha Bieley.

Në mars të këtij viti, ministri serb i arsimit Srdjan Verbiç nënshkroi një marrëveshje me përfaqësues të pakicave entike të vendit dhe për të komisionuar tekstet e nevojshme shkollore, dhe një total prej 134 milion dinarësh, më shumë se një milion euro, i caktuar për të mb uluar kostot.

Por përfaqësuesi të Këshillit Kombëtar të Minoritetit Kombëtar Shqiptar, pavarësisht se janë ftuar, nuk e nënshkruajë marrëveshjen.

Milovan Suvakov, asistent i ministrit të arsimit për zhvillimin dhe arsimin e lartë, tha për BIRN se pavarësisht nga kjo, ministria do të vazhdojë përpara më vete me projektin.

“Nuk kemi një partner për këtë detyrë,” tha Suvakov.

Këshilli nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për një shpjegim të arsyeve të tij, por duket qartë se edhe me afrimin e fundit të një tjetër viti shkollor, problemi i ngarkuar politikisht i teksteve shkollore nuk do të zgjidhet menjëherë.

Ky artikull u shkrua si pjesë e projektit Lupa Dixhitale: Bashkëpunimi i Medias Online në Kërkim të Përgjegjësisë Politike, që mbështetet nga ambasada britanike në Beograd. Artikulli nuk reflekton pozicionin e ambasadës britanike.

– See more at: http://www.balkaninsight.com/al/article/t%C3%AB-rinjt%C3%AB-shqiptar%C3%AB-n%C3%AB-serbi-vuajn%C3%AB-mosmarr%C3%ABveshjen-e-teksteve-shkollore-06-09-2016#sthash.AEwkz0K4.dpuf

SHPËRNDAJE