(AIK-Presheva Jone)

 


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në prag të ndërrimit të viteve ka uruar të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, për Vitin e Ri 2011. Në mesazhin e tij Kryeministri u shpreh: “Në këtë prag të ndërrimit të viteve dua që me këtë mesazh të ndaj me secilin prej jush, gëzimin e Vitit të Ri 2011 dhe me përzemërsi t’ju uroj një vit të ri të mbarë për ju, të dashurit tuaj, dhe për të gjithë shqiptarët.

Le të sjellë ky vit në zemrat dhe vatrat tuaja shumë gëzime, shëndet, lumturi, mbarësi dhe suksese për ju, familjet, miqtë dhe të dashurit tuaj kudo që festoni sonte, në shtëpi, në lokale, në udhëtim, shërbim, spitale, në vuajtje dënimi, jashtë vendit, në misione diplomatike apo paqeje në Afganistan, Bosnje dhe gjetiu.

Por veças, duke ndarë brengën, hidhërimin dhe dhimbjen me të gjithë ata qytetarë dhe familje që humbën gjatë vitit që shkoi më të dashurit e tyre, apo u përballën me sëmundje, varfëri, skamje dhe papunësi, uroj që viti 2011 të sjellë plot gëzime, shpresë, qetësi, paqe në shpirtin dhe zemrën e tyre.

Në këto çaste gëzimi por edhe meditimi, unë mendoj se pavarësisht nga vështirësitë dhe herë-herë dhimbjet, me të cilat jemi përballur gjatë vitit që lamë pas, ne sonte presim Vitin e Ri 2011 me krenari të ligjshme dhe me mirënjohjen më të thellë për veten, njëri tjetrin, për përpjekjet, sakrificat dhe arritjet tona.

Ne me punën, përkushtimin dhe reformat tona, sonte festojmë më të lirë dhe më me dinjitet sa kurrë më parë. Kjo, sepse ne arritëm që në vitin 2010 të shembim një mur shekullor izolimi por edhe paragjykimesh që na rrethonte dhe të shndërrojmë në realitet një nga ëndrrat më të bukura të jetës sonë, atë të lëvizjes sonë të lirë dhe dinjitoze në mbarë hapësirën evropiane. Në memorien e secilit prej nesh dhe të historisë sonë, viti 2010 do të shkruhet me germa të arta si viti i paharruar, viti i lëvizjes sonë të lirë në mbarë Evropën. Shqipëria evropiane, integrimi evropian janë dhe mbeten projekti ynë më madhor për vitin 2011 e në vazhdim.

Ne presim vitin që po troket në dyert tona krenarë me veten, njëri tjetrin dhe vendin sepse ne gjatë vitit 2010 me mundin, djersën, iniciativën e lirë dhe reformat tona, arritëm që ekonomia jonë dhe në kohën e krizës së rëndë ekonomike të botës të shënojë rritjen më të lartë në Evropë. Në Shqipëri gjatë këtij viti, të ardhurat buxhetore u rriten me 8,5 %, eksportet me mbi 50%, pra më shumë se kudo tjetër në botë, deficiti buxhetor dhe inflacioni ishin rreth 3%, pra, ndër më të ulëtat e kontinentit. Investimet publike për rrugët, shkollat, spitale, ujësjellës arritën në rreth një miliard dollarë, investimet e huaja 30 % më të larta se një vit më parë. Shqipëria sot renditet ndër vendet më të pëlqyera dhe të besuara nga investitorët e huaj.

Mbi të gjitha rritja ekonomike bëri të mundur që Qeveria Shqiptare të realizojë rritjen më të madhe të rrogave, pensioneve në Europë, ndërkohë që shumica e vendeve të tjera për shkak të krizës i uli ndjeshëm ato.

Ne presim Vitin e Ri me nderimin dhe respekt të ligjshëm për njëri tjetrin dhe për vendin tonë, sepse këtë vit në garën e dijes, në shkollimin e fëmijëve tanë ne kemi kapur nivelet më të larta që ekzistojnë gjëkundi për ndjekjen e shkollës së mesme dhe të lartë nga djemtë dhe vajzat tona.

Ne e presim Vitin e Ri me besim të madh dhe krenar për veten dhe njëri tjetrin, punën tone, sepse ne po shndërrojmë në realitet projektin, ëndrrën e Shqipërisë digjitale. Këtë vit, me një rritje marramendëse, numri i përdoruesve të internetit tek ne arriti në mbi 1,3 milion qytetarë, pra afër mesatares evropiane, dhe kjo nga vetëm 4,8% që ishte 5 vjet më pare. Sot 34,2 % e shqiptarëve përdorin Facebook për të komunikuar me njëri tjetrin, duke parakaluar kështu shumicën e kombeve më të zhvilluara të Evropës.

Ne presim Vitin e Ri më krenarë se kurrë për Shqipërinë, sepse ajo u përzgjodh si destinacioni kryesor turistik në botë për vitin 2011. Bukuritë magjepsëse natyrore, thesaret dhe trashëgimia kulturore përrallore e vendit, mikpritja jonë më e njerëzishme dhe zemra jonë bujare, infrastruktura moderne që ndërtuam bënë që Shqipëria të shpallet për vitin 2011 “Miss turizmi në planetin tonë”. Si Shqipëria vend nuk ka.

Prandaj dhe sonte si bashkëqytetar, prind, familjar, mik por edhe Kryeministri juaj, dua t’i bashkoj urimin tim, me atë të njerëzve tuaj të dashur, për një vit të ri, më të mirë, më të begatë, më të qetë për çdonjërin prej jush, miqtë dhe të dashurit tuaj. Uroj shumë gëzime, mbarësi, shpresë dhe lumturi për të gjithë ju dhe shqiptarët kudo që janë. Uroj arritje të tjera të mëdha në ndërtimin e Shqipërisë evropiane.

Një vit të ri të bekuar për të ju të gjithë. Zoti e bekoftë Shqipërinë “të bukurën e dheut”, e miqtë tanë kudo në botë”, thuhet në urimin e kryeministrit Sali Berisha.

 

SHPËRNDAJE