Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha, në një dalje për mediat nga selia blu, deklaroi se në këtë garë të ngushtë, cilido të jetë verdikti final i votuesve, ai do ta pranoj atë, sikunder kërkoi që dhe të njëjtën gjë të bëjë dhe kryetari socialist Edi Rama.

“KQZ-ja po përllogarit rezultatin final dhe ne ende nuk e dimë se kush është fituesi. Në respekt të vullnetit të qytetarëve, une mbetem i vendosur, që cdo votë të lexohet saktësisht dhe zëri i tyre të dëgjohet”.

Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha kërkoi që cdo votë të lexohet e drejtë, duke u treguar i matur në fjalën e tij dhe vlerësuar kësisoj të gjithë fushatën.

“Ju qytetarë më dhatë mbështetjen tuaj të paçmueshme, votën tuaj, ju më dhatë zemrat tuaja. Falë jush kjo ka qënë një fushatë e lumtur. Shumë prej jush u angazhuat për herë të parë politikisht, sot ju ftoj të mbeteni të angazhuar. Çdo qeverisje duhet të japë llogari para jush. Kjo fushatë ka ofruar një model të ri, për qytetin tonë dhe për Shqipërinë. Njerëzit kanë besim tek kjo mënyrë e re e të bërit politikë, të parët jeni ju. Këto janë zgjedhje të ndershme e të lira. Cili do të jetë verdikti final i votuesve unë do ta pranoj atë. Shpresoj që edhe zoti Rama të bëjë të njëjtën gjë. Pavarësisht nëse marrim për bazë burimet tona apo të palës tjetër të dy kandidatët ndahen me pak vota. Unë e kam thënë në fillim të procesit se çdo votë duhet të numërohet deri në fund”.

“Nëse në fund të këtij proçesi është zoti Rama fituesi, unë do ta uroj atë. Nëse kam fituar unë, shpresoj që edhe ai të më urojë“ u shprehu Basha.

Basha deklaroi me shkronja të mëdha duke nënvizuar se kjo beteje nuk është politike, por qytetare, dhe këte e kanë treguar mësë miri votat e tyre të cilat janë dhënë në datën 8 maj.

Jo vetëm kaq, por falenderimet ishin pjesa tjetër e medaljes, në të cilën Basha shprehu konsideratat më të mëdha.

“Faleminderit Tirana. Dua të falenderoj gruan time Aurelën, vajzën time Dafinën dhe te gjithë familjen time, për mbështetjen dhe kujdesin që kanë dhënë gjatë gjithë procesit. Dua të falenderoj të gjithë stafin, të gjithë bashkëpunëtorët, për përkujdesjen, punën e palodhur dhe për përkushtimin e jashtëzakonshem. Dua të falenderoj kryetarin e Partisë Demokratike, kryeministrin Sali Berisha, të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike dhe të gjithë anëtarët e simpatizantët e saj” shtoi me tej ai.

SHPËRNDAJE