Ish funksionari i lartë i ish-Jugosllavisë, Azem Vllasi ka deklaruar se ndarja e Kosovës do të nënkuptonte shkëputje tjera nga Serbia si dhe humbjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

 

“Ideja e Daçiqit për ndarje të Kosovës është joserioze. Është e pakëndshme që një njeri, i cili vjen nga një parti, e cila për shkak të lakmisë, ka dashur të ndryshojë kufijtë dhe për shkak të së cilës të gjithë qytetarët e ish-Jugosllavisë janë penduar, propozon ndarje. Në këtë rast, do të mbeteshit pa jugun e Serbisë, ndërsa kjo çështje do të hapte probleme edhe në Maqedoni”, ka thënë Vllasi, raporton “PressOnline”.

Ai ka thënë më tej se me vazhdimin e bisedimeve Prishtinë-Beograd, pret përmirësim të jetës së qytetarëve të Kosovës. Ai mendon se dialogu i ardhshëm do të duhej të ngrihej në nivel më të lartë të cilin do të duhej ta drejtonin shefat e shteteve, Tomisllav Nikolliq dhe Atifete Jahjaga, por se edhe presidenti i Serbisë nuk duhet t’i shmanget takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“E kaluara e Thaçit mund të jetë kundërshtuese, mirëpo edhe Nikolliq ka të kaluar të njëjtë”, thekson Vllasi.

Ai ka shtuar se Beogradi nuk duhet të pres hapjen e një zyre të Prishtinës në Beograd, mirëpo hapjen e një ambasade.

“Së shpejti do të ndodhë një gjë e tillë. Nuk e di se a do të jem unë ambasadori, por do të doja. E njoh qytetin dhe do të kontribuoja në përmirësimin e bashkëpunimit mes dy shteteve”, ka thënë Vllasi.

Ndryshe, gazeta nacionaliste e Serbisë, “Kurir”, ka publikuar disa fotografi të Vllasit, i cili, sipas artikullit, mbrëmjen e së enjtes ka qëndruar në kafenenë “Tre Sheshirat” në Beograd.

“Kurir” pretendon se ai ka qenë duke e kënduar këngën e “Vidovdanit”. Në artikull theksohet se Vllasi, gjatë kohës sa ka qëndruar në këtë kafene, ka pirë mbi një litër “raki kumbulle” dhe megjithatë ka qëndruar në këmbët e veta.

Thuhet se ai i ka kënduar edhe këngë tjera serbe, por edhe ato boshnjake si dhe ka lënë disa qindra euro bakshishe.

SHPËRNDAJE