TIRANË, 10 shtator/ATSH/ – Liderët politikë të Luginës së Preshevës i kanë dorëzuar një kërkesë Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, që të iniciojë nxjerrjen e një rezolute në Kuvendin e Kosovës, përmes së cilës do të mbështesin bashkimin e tyre me Kosovën.

Pas takimit të liderëve të Luginës me Presidentin Thaçi, kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, lexoi kërkesën e nënshkruar nga përfaqësuesit politikë të Luginës, me ç’rast theksoi se kërkesa e tyre është legjitime. Ai u shpreh optimist se kjo kërkesë do të procedohet shumë shpejt në Kuvendin e Kosovës.

“Kemi iniciuar disa çështje që neve na brengosin në drejtim të asaj që ta esencializojmë edhe me shumë çështjen e dialogut, çështjen e korrigjimit të kufirit. Ne sot kemi shpalosur idenë e një rezolute që duhet të nxjerrë Parlamenti i Kosovës, në drejtim të asaj që e mbështesin kërkesën tonë shumëvjeçare, nga viti 1992, për të drejtën për bashkëngjitje me Kosovën. Kjo është një kërkesë që ne sot ia kemi sjellë Presidentit, i cili e pranoi si një akt legjitim të cilin ne e kërkojmë nga Parlamenti i Kosovës dhe në ditët në vijim do t’i kontaktojmë shefat e grupeve parlamentare që të iniciojnë këtë seancë sa më shpejt që është e mundur dhe ta nxjerrin këtë rezolutë në atë seancë të jashtëzakonshme”, tha ai.

Edhe kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, u shpreh i bindur se do të gjejnë mbështetje nga ana e institucioneve dhe partive politike, në përmbushjen e të drejtës së tyre për bashkim me Kosovën.

“Ne shpresojmë që të gjithë aktorët politikë në Kosovë, veçanërisht deputetët në Kuvendin e Kosovës, do ta respektojnë kërkesën tonë dhe përmes saj do të ndërtohet unitet politik i plotë, i cili do të mbështesë Presidentin dhe ekipin negociator të Kosovës në bisedimet e Brukselit. Pra, Lugina e Preshevës e ka shprehur vullnetin e vet se është për bashkim me Kosovën, duke i kërkuar respektimin e tërësisë së saj territoriale”, tha Kamberi.

Ndërsa Presidenti Hashim Thaçi ofroi mbështetje në institucionalizimin e kërkesave të përfaqësuesve të Luginës, që t’i bashkohen tërësisë territoriale të Kosovës. Megjithatë, Kreu i Shtetit nuk garantoi bashkim, sepse sipas tij, kjo varet nga vullneti politik.

“Unë nuk iu premtoj preshevarëve, njerëzve të Medvegjës e Bujanocit dhe nuk garantoj bashkëngjitje. Unë siguroj dhe garantoj se do të punoj shumë deri në qenien time të fundit që kjo të ndodhë. Se, a do të ndodhë apo jo, varet nga uniteti politik në Kosovë, nga uniteti politik në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe nga hapat tonë të mëtutjeshëm për një zgjidhje përfundimtare në marrëveshjen historike mes Kosovës dhe Serbisë, pra një marrëveshje të karakterit, shpirtit dhe substancës evropiane”, tha ai.

Ai beson se kërkesa e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës do të gjejë mbështetje, por theksoi se nevojitet unitet politik.

“Unë i besoj kauzës së bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën. S’ka që më bind të kundërtën. Dhe më së paku kjo çështje duhet të politizohet dhe të merr karakter elektoral, populist apo personal. Njerëzit janë në hall dhe duhet ti ndihmojmë. Kemi obligim kushtetues, ligjor, njerëzor, kombëtar, demokratik. Nëse nuk i ndihmojmë le të deklarohen. Mirëpo nuk shkon: ‘edhe iu duam, edhe iu përkrahim, por s’mundemi kështu’, tregoni se si. Njerëzit iu janë drejtuar institucioneve të Kosovës dhe partive shqiptare për një rezolutë në Kuvend dhe le të deklarohen, janë për pro, ose kundër. E di se janë të gjithë ‘për’, por le ta zyrtarizojnë”, tha Thaçi.

Gjithashtu, Presidenti Thaçi është shprehur i bindur se kërkesa e përfaqësuesve të Luginës do të gjejë mbështetje nga partitë politike në Kosovë.

SHPËRNDAJE