Preshevë, 3 mars –Policia e Kosovës bazuar në mandatin ligjor që ka është e obliguar në zbatimin e urdhërarresteve të ligjshme të lëshuara nga organet e drejtësisë dhe bazuar në këtë, sot me 03.03.2017 gjatë ditës ka realizuar zbatimin e një urdhërarresti në PKK-Hani i Elezit.

Njësitet relevante policore kufitare bazuar në urdhëresë, kanë ndaluar deputeten e RKS-së znj. D. (K.) B., të cilën e kanë njoftuar mbi arsyen e ndalimit dhe bazuar në urdhëresë e njëjta do të shoqërohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Vlen të potencohet se znj. D. (K.) B., ka  bashkëpunuar dhe kooperuar mirë me zyrtarët policorë dhe e njëjta do të shoqërohet në gjykatë, ashtu siç parashihet me urdhëresë.

Arrestohet deputetja e Vetëvendosjes Donika Kadaj-Bujupi 

Policia e Kosovës në kufi me Maqedoninë ka arrestuar deputeten Donika Kadaj-Bujupi.

Këtë lajm e ka bërë të ditur Lëvizja Vetëvendosje në një komunikatë për media.

“Arrestimi i saj është bërë për vepra të mëhershme dhe është skandal i papranueshëm. Ky arrestim, në kohën kur paralajmërohet sjellja e demarkacionit në Kuvend, është provokim i situatës. Sjellja e këtij pushteti përballë opozitës është bërë e patolerueshme. Këto veprime të padrejta të një pushteti kriminal do ta tensionojnë situatën”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Vetëvendosje fton organet e drejtësisë që përndjekja e deputetëve e aktivistëve të ndalojë menjëherë.

“Marrëveshja për demarkacionin nuk duhet të vijë në Kuvend. Demarkacioni nuk kalon”, thuhet në komunikatë

SHPËRNDAJE