Nga e majta Kryetari i ASHAK-ut, Akademik Nexhat Daci, përballë gazetarit Kushtrim Maliqi

 

NGA: KUSHTRIM MALIQI

Intervistë ekskluzive me akademik Nexhat Dacin, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Në një intervistë ekskluzive për “Bota Sot”, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës z. Nexhat Daci ka folur për proceset e vështira nëpër të cilat po kalon Kosova, mos-koordinimin e spektrit politik, dallimet e mëdha në mënyrën se si e shohin zgjidhjen e problemeve me Serbinë. Ai ka deklaruar se i beson rrugës që po e ndjekë Presidenti Thaçi sa i përket kërkesës për bashkëngjitjen e Kosovës Lindore. Sipas tij, nëse shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit mbesin kështu si sot, do të ishte zgjidhja më e keqe për ta por edhe për Kosovën edhe për shqiptarët.\

“Bota Sot”: z. Daci, si e vlerësoni situatën aktuale politike në vend, a jeni të kënaqur më zhvillimet e fundit?

Nexhat Daci: Unë jam dhe funksionoj në mënyrë të veçantë. Kur të gjithë shohin vetëm zi e terr, unë mundohem të shoh diku dritë, njëjtë edhe kur të gjithëve iu duket se asgjë nuk po shkon në rregull, unë mundohem të shikoj gjëra pozitive dhe të gjendet zgjidhje. Ai shqiptarë që është i pa kënaqur me gjendjen në dynja, sepse ne kemi dëshirë me u marrë me gjëra të mëdha, atëherë ai i ka problemet e veta. Në histori, Kosova nuk ka qenë kurrë më mirë se sot, sigurisht se mund të bëhet edhe më mirë, sepse nisem nga vetja, por unë e përfaqësoj Akademinë edhe kur nuk kam qenë kryetarë, pas, gjashtë vite nëpër Evropë, për çka i falënderoj kolegët e mi, ish-kryesinë dhe ish-kryetarin, në procesin e Berlinit, ai është një proces i Akademisë Evropiane. Unë po iu them që e vetmja lëmi për të cilën është dashtë Serbia të kërkoj leje nga Kosova ka qenë pikërisht Akademia e Shkencave, sepse të njëjtën ditë jemi pranuar në Federatën e Akademive Evropiane, kur ka ardhur kryetari i asaj federatë në Kosovë, unë veçse jam kryetarë i Kuvendit të Kosovës, ndërsa kryetarë i Akademisë ka qenë z. Raxhep Ismajli dhe ka thënë se a mundemi të njëjtën ditë me e propozu edhe SAN-ën (akademinë e shkencave serbe), e profesori Rexhep, të cilin gjithmonë e lavdëroj si shkencëtarë parë ekselencë, nisi me u ngutë e me thanë jo. I thash Rexhep, unë po shtroj drekë, unë jam kryetarë i Kuvendit, ti je kryetarë i Akademisë. I thash, po çfarë shkencëtari jam unë nëse them se një shkencëtarë serb nuk mund të jenë diku në botë. SAN-u, e ka shkatërruar me projektet e saja Serbinë, që kurrë nuk ka me mund me u ngritë në këmbë, por në rrugë të shkencës unë them po. Të njëjtën ditë jemi pranuar në Federatën e Akademive të Evropës, Serbisë leje iu kemi dhënë ne, jo ata neve. Le të del dikush tjetër dhe le të më thotë se e ka bë të njëjtën në Ballkan. Unë për këtë arsye e mbaj lartë dinjitetin dhe krenarinë time sepse edhe kur është dashtë me bo gabime, unë nuk kam bë. Kërkesa ka qenë që Presidenti Rugova me u varrosë si qytetarë i rëndomtë dhe me ceremoni familjare, në shtëpinë time ka ardhur njeriu më i fuqishëm në botë, në prezencë të djalit e të gruas time dhe më ka lutur, i kam thënë zotëri ambasador, ti e ke një shtet të madh e të bukur dhe ke ku shkon, unë skam ku shkoj, unë skam shtet tjetër. Presidenti Rugova ka vdekur si President dhe do të varroset si i tillë.

“Bota sot”: Jemi dëshmitarë se para 15 viteve shkollat shqipe në Preshevë kanë pasur pesë mijë nxënës, ndërsa sot nuk kanë më shumë se dy mijë e pesëqind. Janë edhe shumë aspekte tjera të jetës që na bëjnë të kuptojmë se jeta në Luginën e Preshevës po shkon duke u vështirësuar, ky momentum në të cilin jemi, a mendoni se duhet të shfrytëzohet nga qytetarët atje të bashkohen me Kosovë, apo këto janë vetëm lojëra fjalësh nga Prishtina?

Nexhat Daci: Kësaj pyetjes tuaj kaq të mirë, që u munduat ta elaboroni më gjatë, unë i përgjigjëm shumë shkurtë, PO, do të ishte rast ideal që të shpëtohet Lugina.

“Bota Sot”: Presidenti Thaçi, në disa raste ka thënë se do të ketë korrigjim, nuk e lëshojmë Veriun, nuk e lëshojmë Ujmanin, çka na ka bën të kuptojmë se për të shkuar me Serbi nëse ndodhë korrigjimi, po mbetet Leposaviqi. Ju si veprimtarë i shquar dhe patriot, si e vlerësoni, a do të ishte në favorin e shqiptarëve të shkonte Leposaviqi për Preshevën, Bujanovcin dhe një pjesë të Medvegjës?

Nexhat Daci: Dëgjo, Ujmanin e ka ndërtuar Kosova me parët e Kosovës, Ujmani vetëm afër 9% të tij është në territor të Serbisë, e ka paguar Kosova, është i Kosovës dhe do të mbetet i saj, krejt luftërat botërore me u fituar. Mjerisht, një numër i madh i shqiptarëve gjithandej, ose kanë fobi ndaj Luginës ose mjerë ata se sa të varfër janë në mendje dhe shpirt. Nuk ka pas dy Mitrovica kurrë, tash pas lufte kanë ndodhë dhe nuk do të ketë në të ardhmen dy Mitrovica.

I kam dëgjuar disa duke thënë se Gjykata Ndërkombëtare i ka caktuar kufijtë, ata që thonë ashtu ju them unë se dy lidhje me tru si kanë. GJND ka dhënë vendim të drejt juridik që Kosova sipas të drejtës ndërkombëtare e ka shpallë pavarësinë e vetë, s`është marrë me definim kufijsh. Mua kur nuk kanë mund me më gjetë ndonjë behone, më kanë thënë hajt se Daci i Serbisë. Lugina duhet të jetë shumë shumë e kujdesshme në prezantimin e rezultateve të referendumit të vetë (1992) të luftës së UÇPMB-së, të cilën pa kufi e ka ndihmuar Kosova dhe le të dihet se ky është fundi i historisë, se nëse mbesin kështu si sot, do të ishte zgjidhja më e keqe për ta por edhe për Kosovën edhe për shqiptarët. Unë jam duke besuar në rrugën të cilën po e ndjek presidenti Thaçi. Kosova e ka në këtë proces një fat të mirë, se historianët, ekonomistët dhe gjeografët e Luginës qe 20 vite janë duke i përgatitur hartat dhe tani janë të gatshme, ku dhe çka është. Gjithmonë është punuar me këtë ide, kjo ide ka qenë prej fillimit të veprimtarisë time që nga viti 1968 kur kam ardhur në Prishtinë e deri sa të vdes.

SHPËRNDAJE