Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në emisionin “Evropiani Special” në Klan Kosova ka folur për siç tha ai, përzierjen e njerëzve të politikes në futbollin kosovar.

Ademi ka vizituar disa delegatë të rajonit të Prizrenit, Malishevës dhe disa klubeve duke thënë se këtë e ka bërë pikërisht për çështjen se disa njerëz jashtë futbollit po i shantazhojnë disa delegatë dhe klube të futbollit në Kosovë.

Këtë shantazh, sipas Ademit delegatët janë lodhur me këto shantazhe ku sipas tij, atyre po i dërgohen njerëz me lidhje familjare, njerëz të politikes e kryetarë komunash për t’ua kërkuar votën.

“Janë lodhur delegatët duke iu çuar njerëz, duke iu çuar familjarë, duke përzier pjesë të politikës duke përzier lloj-lloj kryetarë komunash duke kërkuar votë në këtë formë që për mua nuk është e drejtë dhe kam shkuar që t’iu jap përkrahje delegatëve që të jenë të sigurt dhe të vendosin për futbollin”, është shprehur Ademi, njofton Klankosova.tv.

Por, Ademi thotë se nëse delegatët e shohin që FFK është në diçka të keqe, sipas tij janë ata që duhet te reagojnë. Tutje, ai thotë se për momentin, përkundër që me rregullore të UEFA-s, përzierja e sportit në politikë parasheh masa ndëshkuese deri në përjashtim, Kosova nuk rrezikohet nga një gjë e tillë pasi që nuk e ka çuar asnjë letër në dyert e UEFA-s për këtë gjë,

“Kosova nuk rrezikohet tash për tash të përjashtohet nga UEFA, për faktin se unë nuk e kam çuar asnjë letër dhe nuk e kam ndërmend që ta bëjë një gjë të tillë edhe pse e kam të faktuar që është e përzier politika. Janë disa deputetë të përzier, janë disa kryetarë komunash që do të thotë se niveli qendror dhe niveli lokal janë të përzier në këtë punë dhe këto i kam të faktuara me fotografi e incizime. Nuk i bëjë publike këto gjëra sepse nuk dua që Kosova të suspendohet nga UEFA”, është shprehur Ademi.

SHPËRNDAJE