Grupi i tifozëve “Illyrian Elite” ka reaguar pas vendimit të FSHF’së për të mos iu dhënë më bileta

 

Ata përmes një postimi në Facebook tregojnë se protesta e tyre nuk ishte ndaj kombëtares apo tifozëve italian, por ndaj FSHF’së dhe Policisë shqiptare.

 

Kujtojmë se Federata Shqiptare e Futbollit mori vendimin për përjashtimin e grupimit “Illyrian Elite” një ditë pas sfidës mes Italisë e Shqipërisë, e cila u ndërpre për 9 minuta pas hedhjes së flakadanëve në fushën e lojës.

 

Më poshtë mund të lexoni të plotë komunikatën e tyre:

“Duke marrë shkas nga akuzat e ardhura drejt nesh dhe duke dashur të sqarojmë situatën që u krijua në Palermo dhe që është fryrë shumë mediatikisht, ne donin t’iu thonim se qëllimi i gjithë asaj nuk ishte të dënojmë Kombëtaren, sepse nga sektori ynë nuk është hedhur asgjë në fushe apo ndaj tifozerisë së thjeshtë italiane. Ne, me shfaqjen tonë piroteknike, që arriti të pezullonte për disa minuta ndeshjen, donim vetëm t’i jepnim një mesazh të qartë FSHF-së dhe Policisë së Shtetit, notë proteste, duke i akuzuar drejtpërdrejt ata si të vetmit përgjegjës për degradimin e situatës me të gjitha sjelljet e tyre të njëpasnjëshme, harbute dhe aspak profesionale ndaj nesh dhe tifogrupeve të tjera shqiptare, sjellje që e kaluan cakun e tyre në ndeshjen e fundit në shtëpi me Izraelin. Ne pohojmë me zë të lartë se, vendimi i pezullimit tonë për të mos marrë më bileta për të mbështetur Kombëtaren dhe ngjyrat kuqezi është një vendim aspak profesional dhe me shumë tendencë, duke ditur se ky vendim vjen nga njerëz që po vendosin diktat në drejtimin e një institucioni tashmë të privatizuar nga ana tyre prej vitesh. Ju duhet të ndërroni qasje ose do të përballeni me pasojat e mëtejshme. Ne si tifogrup do të vazhdojmë misionin tonë me çdo ‘armë’ ndaj padrejtësive që po na bëhen, neve si grupim, por jo vetëm”, shkruan grupi “Illyrian Elite”

SHPËRNDAJE