Xhaferi: Mbyllja e rasteve të Hagës, hapi më i madh

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi ka vlerësuar si hap të guximshëm të qeverisë aktuale mbylljen e rasteve të Hagës duke i dhënë fund zbatimit të Ligjit për amnisti.

“Ky është hapi më i madh i cili kontribuoi në ndërtimin e mirëbesimit ndërmjet bashkësive dhe krijoi klimë më të ndryshme dhe kushte më të mira për zgjidhjen e të gjitha çështjeve tjera të cilat janë të lidhura me konfliktin”, ka thënë Xhaferi.

Ai shpreson që masat dhe hapat e tjerë do të jenë më të lehtë dhe se sipas tij, menjëherë ndjehet përmirësim i besimit të ndërsjellë. “Besimi i ndërsjellë është proces i gjallë dhe dinamik i cili duhet çdo ditë të ushqehet”, shtoi ai.

Ndryshimet të cilat dolën nga Marrëveshja e Ohrit, theksoi Xhaferi, ishin diçka e re për sistemin në Maqedoni, dhe sollën ndryshime të mëdha qoftë në Kushtetutë ose ligjet në vetë metodologjinë e menaxhimit me institucionet.

Nga aspekti i përfaqësimit të barabartë, Xhaferi konsideron se ka rezultate të mira në administratën shtetërore ku bashkësia shqiptarëve është e përfaqësuar me mbi 20 për qind. Megjithatë, thotë ai, ekzistojnë defekte ligjore sepse Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit si sektor nuk ka ndikim në lidhje me punësimin në administratën publike, në shërbimet tatimore dhe doganore ku duhet të gjinden mekanizma për punët që të përmirësohen në drejtim të përmirësimit për të gjitha bashkësitë.

Xhaferi vlerëson se vitin e ardhshëm prioritet kanë disa projekte të mëdha në sferën e kulturës, arsimit dhe infrastrukturës. Ai veçoi ndërtimin e sheshit “Skënderbeu” në Shkup, të teatrit të ri dhe bibliotekës në Tetovë, objekte sportive për nevojat e Universitetit të Tetovës, ujësjellësi në komunën e Likovës dhe rinovimi ose ndërtimi i shkollave fillore dhe të mesme në disa komuna dhe në rrugët rajonale.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni