MAT -Një 40-vjeçar nga Mati vret motrën në oborrin e shtëpisë. Mirash Miza nuk ka duruar dot fjalët e liga të banorëve të zonës për motrën e tij, ndaj pas një debati të ashpër dhe nën efektin e alkoolit, ai ka marrë çiften dhe e ka qëlluar për vdekje. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Dibrës bëjnë me dije se krimi i radhës në familje ndodhi paraditen e djeshme në fshatin Madhesh të Komunës së Ulzës.
VRASJA
Rreth orës 11:00, Shqipe Miza ishte duke u marrë me punë shtëpie kur është konfrontuar me njërin nga vëllezërit. Mirashi i ka kërkuar llogari të motrës për sjelljen e saj, duke i thënë se njerëzit flisnin keq për të. 27-vjeçarja ka reaguar ndaj akuzave të vëllait. Kaq është dashur që ky i fundit të arrijë deri në marrëzi. 40-vjeçari ka marrë çiften që e mbanin në banesë dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të motrës së tij duke e lënë atë të vdekur në vend. Sipas policisë lokale, dëshmitarë të krimit ishin vëllai i viktimës, Dritan Miza, i cili është paralizuar në Greqi 15 vjet më parë dhe aktualisht nuk flet si dhe kunata e viktimës. Mësohet se, në momentin e ngjarjes nëna e viktimës ishte brenda në banesë. Kjo e fundit ka shtangur nga tmerri kur ka dëgjuar krismat e armës dhe ka parë të bijën të pajetë në oborr. Ndërkohë, babai i vajzës 27-vjeçare nuk ndodhej në shtëpi. Ai kishte shkuar në qytezën e Ulzës për çështje familjare. Krismat e armës kanë alarmuar banorët e fshatit, të cilët menjëherë kanë sinjalizuar policinë.
ARRESTIMI
Pas sinjalizimit për ngjarjen uniformat blu kanë mbërritur në fshatin Madhesh dhe kanë nisur kryerjen e veprimeve hetimore. Gjatë marrjes në pyetje nga policia njëri nga të afërmit e viktimës pohoi se: “Mirashi po grindej me Shqipen në oborr. Në një moment pashë se ai doli nga shtëpia me çifte në dorë, ndërkohë Shqipja sapo e pa ia mbathi vrapit. Iku deri në fund të oborrit, por Mirashi iu afrua dhe gjuajti dy herë mbi të. Mirashi la çiften pranë saj dhe iku malit”. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe marrjes së dëshmive, efektivat blu të Burrelit janë vënë në ndjekje të 40-vjeçarit. Vetëm pas 4 orë kërkimesh është bërë i mundur arrestimi i vrasësit në një zonë të pyllëzuar afër fshatit. Sipas hetuesve të çështjes, Mirash Miza ishte kthyer nga Greqia para 10 ditësh. Ndërsa fqinjët e familjes Miza pohojnë se 40-vjeçari ishte person problematik e konfliktual në familje dhe se konsumonte me tepri pije alkoolike.

————————–

JA EDHE KOEMNTET E JUAJA

Vëllai ekzekuton motrën për nder në oborrin e shtëpisë!
Vëllai ekzekuton motrën për nder në oborrin e shtëpisë
www.preshevajone.com
Agjencia informative Presheva Jonë

SHPËRNDAJE