Topi: Nëse voton populli, unë fitoj

Presidenti i Republikës Bamir Topi, deklaron se do te sfidonte kedo politikan në një garë, nëse presidenti do të zgjidhej me votat e popullit.

Kreu i shtetit duke iu pergjigjur deklaratave te kryeministrit Berisha, një natë më parë gjatë një interviste televizive, tha se: ‘Unë jam në detyrë dhe nuk jam apendiks i askujt’.

“Unë mund t’ju them atë që ju kam thënë vazhdimisht. Rikonfirmoj qartazi dhe prerë, që institucioni i presidentit ka qenë, është dhe do të mbetet institucioni kushtetues më përfaqësues, i cili në mënyrë shumë rigoroze, ka zbatuar, zbaton dhe do të zbatojë deri në momentin e fundit që unë do të jem në Presidencë, Kushtetutën e vendit dhe kurrsesi nuk mund të shkojë sipas dëshirave të partive, që të jetë apendiksi i orekseve politike të partive politike, pavarësisht background-it politik të Presidentit. Siguroj qytetarët shqiptarë, që pavarësisht insinuatave që hidhen, Presidenti do të mbetet President, deri në sekondën e fundit të mandatit të tij”, tha Topi.

Kreu i vendit theksoi se nuk do të rikandonte për një mandat tjetër presidencial, “Vetëm në rast se zotërinjtë që i kanë në dorë ndryshimet kushtetuese, për ta bërë zgjedhjen e Presidentit ashtu sikurse e meriton nga populli dhe jo nga parlamenti, vetem nëse do të ketë një ndryshim të kësaj natyre,( se zor se do të ketë, sepse janë po vetë politikanët që i druhen verdiktit popullor), atehere unë do të jem në garë dhe ftoj cilindo që të jetë në garë për të marrë verdiktin drejtpërdrejt nga njerëzit e thjeshtë, nga populli”.

Presidenti theksoi se deri në sekondën e fundit do jetë në detyrë me përkushtim të plotë.

Këto deklarime Presidenti i bëri pas një dite të ngjeshur me takime, ku në Durrës vizitoi shtëpinë e fëmijëve dhe dekoroi personalitete të qytetit dhe shoqatën Durrësi, kurse në Kavajë vizitoi Shtëpinë e të Moshuarve dhe pati një takim me drejtues të pushtetit vendor dhe përfaqësues të komuniteteve fetare.

Berisha: Topi ka ndërtuar në Presidencë selinë e partisë

Kryeministri Sali Berisha e akuzoi dje ashpër kreun e shtetit, Bamir Topi, për sa i përket asaj që ai e quajti “zbatimin e Presidencës nga një partiçkë”.

Përgjatë një interviste televizive, kreu i qeverisë theksoi se tashmë kreu i shtetit ka shpallur edhe nënkryetarët e partisë së tij dhe po e përdor Presidencën si një makineri elektorale për fushatat e ardhshme që do të ndërmarrë.

“Topi po dekonstitucionalizon institucionin e Presidencës, duke e kthyer atë në një seli të një partiçke të vogël, duke shënuar një akt të paprecedent. Ai ka përcaktuar dhe nënkryetarët e partisë dhe shfrytëzon pozicionin, duke dëmtuar thellë funksionet e kryetarit të shtetit”, deklaroi Berisha, duke theksuar se Presidenti ka harruar të merret me funksionet e tij. Kreu i qeverisë e lidhi partinë e Bamir Topit me Aleancën Kuq e Zi, që drejtohet nga kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Sipas tij, ky organizim tregoi se nuk ishte as një për qind e popullsisë së vendit, nisur nga dështimi që pati për të dëmtuar procesin e censusit.

“Partia e tij bëri propagandën më të ashpër kundër censusit dhe nënkryetari i Presidentit i binte vendit kryq e tërthor me slogane kundër pakicave të vendit. Presidenti heshti si fija e barit, sepse ai që fliste ishte nënkryetari i tij”, theksoi kreu i qeverisë, duke nënkuptuar me nënkryetar të Presidentit, Kreshnik Spahiun. Në lidhje me deklarimin e Bamir Topit se këta ishin muajt e fundit të Presidencës së tij, Berisha theksoi se ky pohim kishte ardhur dy javë pasi ai vetë i kishte ndërprerë çdo rrugë për ta kandiduar si President. “Kjo deklaratë e tij erdhi dy javë pasi unë ua bëra të qartë shqiptarëve se ai nuk do të jetë më kandidatit i shumicës. Do të ishte më mirë sikur deklarata e tij për ndarjen nga posti i Presidentit të kishte ardhur tri javë më parë”, ironizoi Berisha.

Po kështu Berisha e quajti Topin një “të djathtë që këndonte majtas” dhe kishte humbur çdo lidhje me vetë të djathtën, e cila e kandidoi si President. Kjo, sepse, sipas tij, Topi nuk kishte pranuar të dekretonte ligjin e lustracionit dhe kishte pasur një implikim të rëndë në ngjarjet e 21 janarit, ku humbën jetën katër protestues. Në lidhje me procesin e përzgjedhjes së kandidaturës së Presidentit të ardhshëm të Republikës, Berisha theksoi se ai dhe Partia Demokratike do të zbatonin Kushtetutën në çdo pikë të saj. Nisur nga kjo, kreu i qeverisë theksoi se kandidatura e PD-së për Presidentin e ardhshëm do të ishte një figurë e lartë e demokratëve, të cilët aktualisht drejtojnë edhe qeverinë. Sipas Berishës, PD-ja nuk mund ta zgjidhte dot një kandidaturë si ish-kryeministri socialist, Fatos Nano për këtë post, që pas ndryshimeve të fundit të Kushtetutës i takonte mazhorancës për ta përzgjedhur.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni