TOP CHANNEL 10 VJET NE SHËRBIM TË OPINONIT SHQIPTARË

Përmes një mbrëmje gala të organizuar në Teatrin e Operas dhe baletit në kryeqytet, Top Channel festoi 10 vjetorin e krijimit.

Festes së Top Channel iu bashkuan personalitete si Presidenti i Republikes, zoti Bamir Topi, ish- presidentët Rexhep Mejdani e Alfred Moisu, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përfaqësues të tjerë të jetës shoqërore e politike në Kosovë, Maqedoni, politikanë të lartë të opozitës dhe mazhorances, ambasadorë të trupit diplomatik në Tiranë dhe personalitete të artit, gazetarisë dhe të jetës publike.

Drejtori i Përgjthshëm i Top Channel, Enkelejdi Joti, i cili mbajti i pari fjalën e hapjes, tha se një nga dimensionet më të mëdha të televizonit është dhe mbetet liria.

“10 vjet më parë, kur Tani mendoi të ndërtonte një televizion për ta bërë atë dritaren kryesore, televizionin numër një të shqiptarëve, pakkush e besonte këtë. Nëse Tanit kjo i dukej një ëndërr e bukur, për shumëkënd kjo ishte një ëndërr që vështirë se mund të realizohej, por Tani mendonte i lirë, mendonte jashtë ambientit primitiv të medias audio-vizive. Pasioni, energjia e Tanit, të cilën ai ishte i aftë t’jua përcillte të gjithë atyre të rinjve, bënë që ëndrrat të fitojnë mbi skepticizmin, të thyenin cdo paragjykim dhe të bëheshin një realitet.Top Channel lindi nga një ëndërr, u rrit nga liria për të ëndërruar dhe për këtë shkak bëri të lirë ata miliona shqiptarë, jo vetëm brenda kufijve zyrtarë të Shqipërisë, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe kudo tjetër ku jetojnë tani, Europë apo Amerikën e Veriut. Janë të gjithë këta shqiptarë që na ndjekin besnikërisht dhe na inkurajojnë në cdo hap tonin. Falenderojmë me zemër gjithë shqiptarët dhe të gjithë të pranishmit në sallë”, tha Joti.

Fjala e Presidentes së Kompanisë “Top Media”

Jam shumë e emocionuar, jam edhe shumë e lumtur që këtë përvjetor  të dhjetë të “Top Channel” po e festojmë së bashku, në këtë mënyrë, dhe me kaq shume miq të nderuar. Ju falënderoj të gjithëve! Të gjithë ata që na kanë nderuar me praninë, të gjithë ju, të gjithë ata punonjës e bashkëpunëtorë që kanë dhënë kontributin e tyre përgjatë një dekade për realizimin e një ëndrre të madhe të Tanit.

Një ëndërr që vazhdon dhe që sjell edhe shumë ëndrra të tjera. Por jemi vetëm në 10 vitet e parë, jemi 10 vjeç, jemi ende fëmijë, dhe fëmijët kanë shumë ëndrra për të ardhmen.

Prandaj, dhe ëndrra jonë vazhdon!

Kthej kokën pas në kohë dhe kuptoj edhe më shumë se çfarë kemi mundur të bëjmë realitet.

Kemi bërë shumë gjëra, kemi arritur shumë suksese, të cilat nuk është më nevoja t’i përsëris.

Shumë prej tyre u thanë përgjatë kësaj mbrëmjeje. Dua të ndalem vetëm në një aspekt, atë kombëtar.

Ne kemi mundur të sjellim të gjithë shqiptarët më pranë njeri-tjetrit, kemi bashkuar trojet, ku tashmë kufijtë nuk kanë aspak rëndësi. Kemi rrëzuar muret dhe kemi sjellë më afër shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e Greqi e kudo ku ka shqipfolës. Një arritje e madhe, një tjetër ëndërr e madhe e Tanit e bërë realitet!

Dhe kjo është një ndër arsyet se përse vendosëm që këtë vit, në këtë përvjetor të “Top Channel”, Çmimin e Fondacionit ‘Dritan Hoxha’ për vitin 2011 t’ia jepnim një studiuesi të njohur, një njeriu që ka dhënë kontributin e tij edhe për çështjen tonë kombëtare. Ky çmim shkon për Profesor Kristo Frashërin.

Një falenderim i vecantë i ka shkuar të gjithë stafit të Top Medias, atyre njerëzve që i shohim përditë në ekran, por edhe asaj shumice që punon pas kuintave dhe që ka kontribut madhor në rritjen dhe zhvillimin e Top Channel.

Më pas personalitetet dhe figurat e njohura të ekranit të Top Channel kanë prezantuar  jo vetëm arritjet, por dhe dimensionet e reja që ka marrë Top Channel gjatë këtyre 10 viteve, duke u shndërruar në një televizion promotor të ideve të reja, teknologjisë së fundit dhe në ekranin më të dashur të shqiptarëve, një televizion i të gjithëve. .

Top Channel lindi si një ëndërr dhe do të vazhdojë si një histori, jo vetëm e njerëzve që  e krijuan, por e gjithë shoqërisë shqiptare. Sipas presidentes së Top Channel, zonjës Vjollca Hoxha, Top Media ka ende shumë ëndrra për të realizuar.

“Ju falënderoj të gjithëve! Të gjithë ata që na kanë nderuar me praninë, të gjithë ju, të gjithë ata punonjës e bashkëpunëtorë, që kanë dhënë kontributin e tyre përgjatë një dekade, për realizimin e një ëndrre të madhe të Tanit. Një ëndërr që vazhdon dhe që sjell edhe shumë ëndrra të tjera. Por jemi vetëm në 10 vitet e parë, jemi 10 vjeç, jemi ende fëmijë, dhe fëmijët kanë shumë ëndrra për të ardhmen. Prandaj ëndrra jonë vazhdon!, u shpreh zonja Hoxha.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni