Presidenti i Bajernit, Karl Hainc Rumenige ka deklaruar se klubi i tij nuk e ka ndërmend të sjellë përforcime të tjera gjatë kësaj vere.
Përkundër zërave të shumtë të mediave gjermane se bavarezët janë të interesuar për mbrojtësin spanjoll, Havi Martinez, Rumenige ka thënë se për Bajernin afati kalimtar i kësaj vere mund të quhet i mbyllur. “Kemi nga dy futbollistë për çdo pozitë dhe më nuk do të bëjmë transferime. Kjo është skuadra jonë për edicionin e ri”, ka thënë Rumenige. Ai ka hedhur poshtë edhe spekulimet për largimin e Arjen Robenit. “Debatet rreth transferimit të tij janë të panevojshme. Është e sigurt se ai do të qëndrojë në klubin tonë”, ka shtuar Rumenige. Gjatë kësaj vere klubit nga “Allianz Arena” iu bashkuan Xherdan Shaqiri, Dante, Tom Shtarke, Klaudio Pizaro dhe Mario Manxhukiq.

SHPËRNDAJE