Rritja ekonomike e Kosovës varet nga vullneti politik i saj

Ekonomia në vendet e BE-së pritet të ketë ngritje qysh në vitin e ardhshëm, por natyrisht se kjo ndryshon nga shteti në shtet dhe varet nga organizimi i brendshëm, i financave publike i shteteve përkatëse. Po ashtu edhe rritja ekonomike e Republikës së Kosovës, varet nga vullneti politik i shtetit.

Rritja ekonomike është e mundur nëse qeveria është e vendosur të çojë përpara reformat. Megjithatë, edhe pse ka varfëri të madhe në Kosovë, kjo nuk varet shumë nga rritja ekonomike, sepse ka vende që kanë rritje ekonomike prej 10 për qind dhe të kenë varfëri të madhe, por kjo varet nga shpërndarja e pasurisë në shtet. Kështu ka thënë dr Andrej Horvat, i cili ka mbajtur një ligjëratë të hapur me temën “Politika rajonale, si mund përshpejtuar rritjen ekonomike”.

Ai duke folur për rritjen ekonomike në Kosovë, ka thënë se ajo varet shumë nga vullneti politik i shtetit dhe vendosmëria e saj për t’i çuar përpara reformat.

“Mund të them se në përgjithësi varet nga vullneti politik i shtetit. Çdo gjë është e mundur nëse Qeveria është e fortë për të çuar reformat përpara. Pra, ndryshimet gjithmonë janë të mundshme, por varet nga vullneti politik”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se rritja ekonomike në vendet e BE-së pritet të ndodh qysh në vitin e ardhshëm, por ai tha se kjo rritje varet nga shteti në shtet, varet nga organizimi i brendshëm i çdo shteti përkatës.

Ndonëse Kosova ka nivel të lartë të varfërisë, Horvat ka thënë se varfëria e një shteti nuk varet shumë nga rritja ekonomike e tij, por varet nga shpërndarja e pasurisë së shtetit. Ai tha se ka vende që kanë rritje ekonomike prej 10 për qind, por kanë varfëri të lartë në atë shtet.

“Varfëria nuk është e lidhur vetëm me rritjen ekonomike. Mund të keni rritje ekonomike prej 10% dhe ende të ketë varfëri. Kjo varet nga shpërndarja e pasurisë në shtet. Pra, kjo varet nga institucionet se si ato e shpërndajnë pasurinë që është arritur në këtë shtet”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se sfidat e rajonit janë shumë të mëdha, por shumica e tyre janë politike. Sipas tij, rruga e Kosovës drejt BE-së është rruga më e mirë, ku gjatë kësaj rruge duhet të bëhen shumë reforma si dhe të ndryshohet mentaliteti.

“Këtu ka shumë sfida, por shumica e sfidave janë politike. Mendoj se rruga e Kosovës drejt BE-së është rrugë e mirë, është një proces ku institucionet duhet të ndryshojnë, reformohen, adoptohen, gjithashtu edhe mentaliteti duhet të ndryshojë, për të qenë më pragmatik dhe për të shkuar drejt prosperitetit”, ka thënë ai.

Ai ka folu edhe për çështjen ekonomike të vendit të tij, Sllovenisë, duke thënë se gjatë viteve 90 dhe fillimit të 2000-es ata kanë pasur një rritje mesatare prej rreth 3% ose 4%, kështu që anëtarësimi në BE ka qenë një ndihmë e madhe për rritjen ekonomike. Sidoqoftë, ai shton se pas vitit 2008 kriza ekonomike e ka prekur edhe Slloveninë, kështu qe vitin e kaluar kemi pasur rreth 6% të deficit buxhetor dhe 40% të borxhit publik.

Ndryshe, ai ka mbajtur një ligjëratë të hapur për publikun me temën “Politika rajonale, si mund përshpejtuar rritjen ekonomike”.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni