RËNDËSIA E AGJËRIMIT NË KULTIVIMIN E MORALIT

Dr. Shefqet KRASNIQI

Jemi në ditët e para të muajit ramazan, ditë të nxehta dhe kohë e gjatë por të agjëruar, por prapë, kënaqësia nuk mungon. Diku agjërimi zgjat edhe me njëzet orë e dikur temperaturat arrijë edhe mbi pesëdhjetë gradë, por edhe atje njerëzit agjërojnë, bile kënaqen duke agjëruar.

Këto ditë kam ardhur për vizitë në Qabenë e bekuar dhe temperatura në disa vende këtu ka arritur deri në 55 e gradë, mirëpo, megjithëkëtë agjërojnë edhe fëmijët në moshën dhjetë vjeçare. Edhe tek ne Allahu e ka lehtësuar dhe njerëzit po agjërojnë, bile po kënaqën. Zaten agjërimi ka ardhur për ta kënaqur shpirtin, për ta forcuar besimin e myslimanit, për ta sprovuar atë se sa është në gjendje për të duruar e sakrifikuar për hir të Atij që e beson dhe në Xhennetin e të Cilit shpreson. Agjërimi hair i madh, i mirë dhe shumë i dobishëm për shpirtin e njeriut, trupin dhe moralin e tij. Eh sa kanë nevojë njerëzit sot për moral të lartë. Zaten a ka diçka çka vuajnë njerëzit më shumë sesa për moral të mirë, për etikë dhe karakter të shëndoshë e cilësor? Sa gjaku derdhet si rezultat i karakterit të ultë, sa mosmarrëveshja e kacafytja bëhet, sa miqësia e vëllazëria prishet si rezultat i sjelljeve të liga dhe moralit të ultë! Vërtetë është tmerr një realitet i tillë në shoqërinë tonë, por edhe gjithandej nëpër botë. E Islami synon ta ngritë njeriun lart, ta bëjë të mirë e të dashur në qiell dhe të mirë e të dashur në tokë, e një gjë e tillë nuk ka mundësi të arrihet pa pasur moral të mirë dhe karakter të lartë, andaj edhe e ka bërë njërën prej bazave të tij siç thotë profeti Muhamed alejhiselam “Unë vërtetë kam ardhur për tua plotësuar juve moralin” . Bile Allahu ua ka mbjellë njerëzve dëshirën për të pasur një moral të mirë, për të pasur vlera dhe karakter të lartë, për atë arsye gjejmë se njerëzit synojnë ta arrijnë një shkallë sa më të lartë të mirësisë, të pajisën me sa më shumë vlera. E shkak i fortë i realizimit të këtij synimi është edhe agjërimi, për atë Allahu kur urdhëron myslimanët të agjërojnë ua sqaron qëllimin e agjërimit duke ju thënë: 

O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (el-Bekare : 183)

U është bërë juve agjërimi obligim në mënyrë që ju ta arrini shkallën e devotshmërisë. E devotshmëria është një synim dhe vizion i të gjithë njerëzve të mirë, i të gjithë atyre që duan të jenë të dashur e të dobishëm në tokë, i të gjithë atyre që duan të kultivojnë vlera. E si mos ta ngrit njeriun agjërimi në shkallë  të devotshmërisë, kur ai për Zotin është në gjendje ta lë bukën dhe ujin, dhe atë në kohën kur më së shumti ka nevojë për të, siç -fjala vjen- në vapë të madhe dhe ditë të gjatë! E këtë nuk mund ta bëjë vetëm se ai që është i sinqertë me Zotin, ai i cili ka parasysh Lartmadhërinë e Tij, ai i cili e do Atë, shpreson shpërblimin e Tij dhe ka frikë nga dënimi i Tij. Pastaj ai i cili për Zotin e lë ushqimin, ai obligohet t’i lë edhe gjestet e këqija –nëse veç i ka pasur-, andaj dhe nuk guxon të shan, të mallkon, të shpifë e të përgojon. Ka thënë Pejgamberi alejhiselam: “Ai që agjëron mos të fletë fjalë amorale, fjalë të liga…”, përndryshe shkoi agjërimi i tij, thjesht ai rri pa ngrënë e pa pirë kotë. Po kështu thotë: “Ai i cili nuk largohet nga fjalët e liga, (përgojimi, shpifja etj) dhe të punuarit me to, ai le ta di se Zoti nuk ka nevojë që ai të rri kotë pa hëngër e pa pirë.”

Po të nderuar, sepse Zoti nuk kërkon nga robi i tij që thjesht të rri pa ngrënë e pa pirë, por kërkon që ai ta fitoj epitetin e të devotshmit, e përderisa ai nuk po e pastron moralin e tij, nuk po e pastron fjalorin e tij, ai nuk ka shans për ta arritur atë gradë. Bile edhe nëse dikush e ngucë agjëruesin, ai nuk guxon t’ia kthen njëjtë, por duhet ti përmbahet provokimeve të tjerëve, për atë thotë Pejgamberi alejhiselam “.. dhe nëse e kacafyt (agjëruesin) ndonjë njeri, ai i përmbahet duke thënë: unë jam agjërueshëm.” dhe asnjë fjalë nuk e flet më shumë. E më thoni pash Allahun e Madhëruar, ai i cili i përmbahet këtyre rregullave, a nuk e ka moralin e mirë, a nuk është i mirë dhe i dobishëm për familjen e tij, për rrethin dhe shoqërinë e tij?! E ai që e ka moralin e mirë, ai edhe mund ta fitoj atë epitet të devotshmërisë të cilin e synon Islami nëpërmjet agjërimit. Pastaj nëse myslimani e arrin këtë shkallë të lartë të mirësisë në ramazan, ai duhet ta vazhdoi edhe pas ramazanit, ai duhet në çdo kohë dhe çdo vend të jetë i tillë, duhet të jetë gjatë tërë jetës së tij i ëmbël, i dashur, tërheqës, i dobishëm, frytdhënës etj. E ky është edhe misioni njeriut në këtë botë. E sa mirë do të ishte sikur të gjithë njerëzit të jenë të tillë. Imagjinoni si do të ishte gjendja e njerëzimit në një situatë të tillë! Nuk do të kishte luftëra, vrasje, kacafytje, shkelje të drejtave të njerëzve. Të gjithë do të jetonin në paç, të lirë e të lumtur, të gjithë të barabartë, ashtu edhe siç edhe i ka krijuar Zoti. Andaj nëse e kuptojmë këtë segment të urtësisë së agjërimit, atëherë e kuptojmë edhe tërë agjërimin dhe Islamin se sa i mirë dhe i dobishëm që është.

O ju njerëz kuptojeni këtë fe, analizojeni e meditoni në madhështinë e saj, do të arrini shkallën e devotshmërisë , do të pajiseni me vlera dhe do ti përhapni gjithandej nëpër botë ato vlera për të cilat më së shumti njerëzimi ka nevojë për to në këtë kohë.   Do të jeni të lumtur në këtë dhe në botën tjetër.

Allahu ua lehtësoftë agjërimin  e ua mundësoftë juve dhe neve ta arrijmë shkallën e devotshmërisë, amin dhe deri javën tjetër selam alejkum.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni