Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka pritur në takim një delegacion të Lëvizjes së Progresit Demokratik të Luginës së Preshevës, të kryesuar nga kryetari Jonuz Musliu, me të cilin ka biseduar për çështjet që janë me rendësi politike për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

 

Prishtinë, 19 prill

“Biseduam për gjendjen politike dhe të sigurisë atje, natyrisht edhe për angazhimet që i bëjnë këta si parti edhe si individ, por do të thosha edhe shqiptarët në tërësi, për të forcuar identitetin e tyre kombëtar, për të drejtat e tyre. Biseduam edhe për çështje konkrete sikur që mund të jetë ajo, që duhet të bëhet një trajtim adekuat për ish-luftëtarët e ish-UÇPMB-së, dhe mendoj se në këtë drejtim Kosova do ta jep kontributin e vet përmes kanaleve të veta ndërkombëtare”, tha Kuçi.

Zëvendëskryeministri i cili njëherësh është edhe Ministër i Drejtësisë, ripërsërit angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zvogëlimin e shumave të taksave kufitare për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për mundësinë e shpërndarjes falas të librave shkollore për aq sa përputhen programet arsimore të ciklit fillor, për nxënësve shqiptarë të Luginës, si dhe për përshpejtim të procedurave për marrjen e diplomave nga studentët e kësaj anë.

Zëvendëskryeministri Kuçi po ashtu, tha se nëse gjinden metoda, Qeveria e Kosovës është e gatshme të financoi ndërtimin e një shkolle në Luginë të Preshevës dhe të ndonjë rruge që i lidh shqiptaret e kësaj ane me kufirin e Kosovës, si dhe premtoi që në dialogun e ardhshëm teknik me Serbinë, do të ngritët edhe çështja e dokumentacionit tjetër, përveç diplomave universitare, që lëshohen në Kosovë dhe tani për tani nuk njihen nga Serbia. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE