PRESIDENTI TOPI URON MËSUESIT SHJQIPTARË PËR DITËN E TYRE

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka uruar të gjithë mësuesit me rastin e festës së 7 marsit. Kreu i shtetit ka theksuar se kombet e qytetëruara bëjnë maksimumin për edukimin dhe përgatitjen e brezave të ardhshëm.

“Në këtë ditë të shënuar, gjej rast të rikonfirmoj mbështetjen dhe admirimin tim për veprën tuaj emancipuese, humaniste e europianiste, kur arsimimi dhe e ardhmja e fëmijëve tanë varen nga vlerat tona tradicionale të mëkuara me aq dashuri nga mësuesit në shkollë dhe nga prindërit në familje”, thuhet në urimin e Presidentit.

“Sigurisht që urimet e para dhe mirënjohja më e thellë do të ishin për mësuesit e vjetër, flokëbardhët, të cilët edhe në pension, do të gëzojnë respektin tonë më se të merituar. Një homazh të veçantë në këtë ditë do të dëshiroja të shprehja për ata mijëra mësues që nuk janë më sot midis nesh. Puna e tyre do të kujtohet ngaherë me respekt dhe admirim të përjetshëm. Ata dhe puna e tyre vetëmohuese janë “gurët e themelit” të Shqipërisë së re moderne e demokratike”, deklaron Topi.

“Kombet e qytetëruara bëjnë maksimumin për edukimin dhe përgatitjen e brezave të ardhshëm. Qeveritë e tyre e kanë përparësi këtë gjë. Investimet për arsimin janë investime shpesh afatgjata, por të sigurta, me efekt të padiskutueshëm në prosperitetin e këtyre vendeve.Ky është edhe horizonti ynë dhe synimi për brezat e ardhshëm që do të marrin në dorë fatet e vendit tone”, theksoi Presidenti.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni