Presidenti Topi darkë me presidenitin Obama, shtetit mik të shiptarëve

Në kuadër të takimit të 17-të të Presidentëve të Evropës Qendrore, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sot në darkën e punës mes Presidentëve të pranishëm në këtë veprimtari, të moderuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama. Tema kryesore e kësaj darke pune ishte: “Ndarja e përvojave të ndryshme të demokratizimit”.

Në diskutimin mbi revolucionet në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, “Pranverën arabe” siç e quajnë, implikimet e tyre për Evropën dhe mënyrat e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës për të mbështetur tranzicionet e suksesshme demokratike në të gjithë rajonin, Presidenti Topi shprehu qëndrimin e shtetit shqiptar se “mbështetja amerikane dhe e Bashkimit Evropian në fushën e demokracisë, paqes dhe shtetit të së drejtës ka qenë përcaktuese për suksesin e deritanishëm të Shqipërisë”. “Ne e kemi të nevojshme edhe më tej këtë prani dhe mbështetje, ndaj dhe inkurajojmë vijimin e programeve aktive në fusha ende të brishta për vendin, siç janë korrupsioni dhe krimi i organizuar”, – u shpreh Presidenti duke nënvizuar se “këto janë sfida që tejkalojnë politikat lokale dhe kërkojnë një reagim shumëplanësh dhe shumëpalësh”.

Në kuadër të përmbushjes së aspiratës integruese në strukturat euro-atlantike të rreth 96% të shqiptarëve, Presidenti i Republikës nënvizoi se “integrimi i vendit në Bashkimin Evropian konceptohet dhe pranohet nga shteti dhe shoqëria si alternativë prioritare në këtë drejtim”. Kryetari i Shtetit shqiptar vuri në dukje se “ndaj politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të vazhdojë pavarësisht rezervave që mund të ketë brenda vetë shteteve anëtare apo popullsisë së tyre”.

Në fjalën e Presidentit Topi vëmendje iu kushtua Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti Kosovës. “Situata gjeopolitike në Ballkan ka ndryshuar. Unë dhe kolegët e mij në rajon kemi filluar të ndërtojmë urat e komunikimit dhe kam parë tek të gjithë ata që vizioni i tyre, perspektiva e tyre është në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ne kemi një situatë të re pas pavarësimit të Kosovës. Sigurisht ndjeshmëria në terren është e lartë përsa i përket dialogut politik midis Kosovës dhe Serbisë, midis shqiptarëve dhe serbëve, por lidershipi i Ballkanit duke shfrytëzuar takimet e karakterit multilateral, është shprehur që Ballkani ka nevojë për një përmirësim të klimës politike dhe përtej saj ka nevojë për një zhvillim ekonomik. Unë për ta konkretizuar këtë dëshirë, pak muaj më parë i kam bërë një ftesë zyrtare Presidentit Tadiç për të vizituar Shqipërinë si një shenjë e këtij momenti të ri të Ballkanit.”

Ndërsa Presidenti amerikan Barak Obama, në përfundim të moderimit të tij vuri në dukje se ndryshimet që kanë ndodhur në Evropë Qendrore dhe Lindore brenda një kohe të shkurtër, janë mbresëlënëse duke bërë përparime të jashtëzakonshme për sa i përket demokracisë, një proces i inkurajuar dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, të cilat do të vazhdojnë të inkurajojnë dhe të mbështesin të gjitha vendet e tjera të Evropës për integrim të plotë, sepse një Evropë e integruar do të jetë një Evropë më paqësore e bazuar mbi përgjegjësitë, idealet dhe vlerat e përbashkëta të demokracive perëndimore.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni