NË PËRFUNDIM TË RAMAZANIT

Dr. Shefqet KRASNIQI

 

Sa shpejtë kalojnë ditët dhe sa e çuditshme është puna e njeriut! Para fillimit të Ramazanit, më kujtohet, njerëzit ankoheshin shumë për vapën dhe gjatësinë e ditës, mendonin se temperaturat e larta do tua vështirësonin shumë agjërimin, por, ndodhi e kundërta. Ndihma e Allahut, sikur përherë, forcoi zemrat e besimtarëve, dhe ja, dalëngadalë, i erdhi fundi këtij muaji të bekuar ndërsa besimtarët po e plotësojnë të tërin. Ç’është interesante se përshtypjet e besimtarëve për të janë fascinuese dhe, nga këndvështrimi i lidhjes me Allahun e Madhëruar, inspiruese. Që të gjithë shprehnin se, përkundër frikës për vapën dhe temperaturat, kishin kaluar Ramazanin më të lehtë. Bile, tashmë kur ndarja është afruar, njerëzit po mërzitën. Këtë po e shohë për çdo ditë në bisedë me njerëzit e ndryshëm, dhe e pash edhe mbrëmë gjatë iftarit që organizuam në Hotel Victory, me ç’rast e bëmë promovimin e dy librave të mi të fundit  “QËNDRIME NË KOHË II” dhe “SHTATË MËKATET SHKATËRRUESE”, ku mysafirët ishin nga shtresat shoqërore më të ndryshme.

Në fakt, nuk janë vetëm besimtarët që po mërziten për ndarjen e tij, por janë dhe një grup tjetër njerëzish, ata që nuk agjëruan, të cilët kur tash po e shohin se sa shpejt shkoi ky muaj, po mërziten pse nuk agjëruan. Vërtetë, kanë pse të mërziten, ngase kanë lëshuar një shans të madh të fitimit të kënaqësisë së Allahut, madje, kanë bërë mëkat të madh, ngase agjërimi i Ramazanit nuk është adhurim fakultativ. Ata thelluan edhe më distancën ndërmjet tyre dhe besimtarëve praktikantë të fesë.  Ata që agjëruan e çuan në vend edhe një urdhër të Zotit dhe disi shpirtrat e tyre janë shumë më të qetë. Ata që agjëruan bënë më pak mëkate sesa ata që nuk agjëruan. Ata që agjëruan ishin më solidar gjatë tërë këtij muaji, ishin më afër familjes dhe të afërmve, ishin më afër të varfërve. Ata që agjëruan e pastruan shpirtin e tyre, e gdhendën dhe kalitën moralin e tyre. E forcuan besën e tyre dhënë Zotit të tyre se edhe pas Ramazanit do të jenë të mirë, të sjellshëm e të dobishëm për familje e për shoqëri.

Ata tashmë gëzohen që arritën fundin e këtij muaji të bekuar, gëzohen se për një muaj të tërë ishin në përkushtim ndaj Krijuesit të tyre.  Ata ndjejnë se kanë bërë diç për Allahun, kanë punuar për varrin e tyre, për xhenetin e tyre, andaj edhe kanë shumë të drejtë që të gëzohen për ardhjen e festës së bajramit. Zaten, kjo festë edhe për atë arsye ka ardhur, që në një farë mënyre ta shijojnë myslimanët gëzimin e adhurimit gjatë një muaji, në këtë botë para se me shijuar gëzimin e vërtet në botën tjetër.

Mirëpo atyre ju mbetet që edhe pas Ramazani të vazhdojnë me këtë dinamikë dhe ritëm të bamirësisë, devotshmërisë dhe sinqeritetit. Ata vërtet duhet ta dëshmojnë se janë më të mirë sesa ata që nuk kanë agjëruar, janë më të mirë sesa ata që nuk janë të lidhur me qiellin. Zaten kjo është edhe urtësia kryesore e tërë këtij muaji, e tërë këtij agjërimi, siç e potencon qartë Allahu xh.sh.: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (Kur’an: 2:183). E devotshmëria, gjegjësisht veshja me petkun e etikës së lartë, nuk është vetëm gjatë muajit ramazan. Por ajo duhet të figuroj tek besimtari për gjatë gjithë vitit, për gjatë gjithë jetës së tij. Ai duhet t’iu dëftojë të tjerëve në praktikë se cilësitë dhe virtytet e mira që i ka, i ka për shkak lidhjes së tij të fortë me qiellin, ai është i mirë për shkak se fenë e ka të mirë, Zotin e ka të mirë. Ai është i mirë gjatë Ramazanit, është i mirë edhe jashtë Ramazanit, është i mirë gjatë gjithë jetës së tij, është i mirë në këtë dhe në botën tjetër.

Paçim Ramazan të pranuar dhe e gëzofshim festën!


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni