Ndryshimet në qeveri, Flamur Noka emërohet Ministër i Brendshëm

Kryeministri, Sali Berisha i ka paraqitur presidentit, Bamir Topi propozimet për dekretim të ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Nga rradhët e mazhorancës është emëruar në postin e Ministrit të Brendshëm deputeti Flamur Noka.
Në mbështetje të nenit 98, pika 1, të Kushtetutës, kreu i qeverisë paraqiti propozimet për dekretim të ndryshimeve në kabinetin qeveritar:
1. Shkarkimin e zotit Edmond Haxhinasto, nga detyra e ministrit të Punëve të Jashtme dhe emërimin e Zotit Edmond Panariti në detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme;
2. Shkarkimin e Zotit Petrit Vasili nga detyra e ministrit të Shëndetësisë dhe emërimin e Zotit Vangjel Tavo në detyrën e ministrit të Shëndetësisë;
3. Shkarkimin e Zotit Nasip Naço nga detyra e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe emërimin e zotit Edmond Haxhinasto në detyrën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës;
4. Emërimin e Zotit Flamur Noka në detyrën e ministrit të Brendshëm.

Ndërkohë, Kryeministri Berisha falenderoi përzemërsisht zotin Nasip Naço dhe zotin Petrit Vasili për bashkëpunimin e ngushtë dhe luajal që kanë patur gjatë qëndrimit në detyrat, respektivisht, si Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe si Ministër i Shëndetësisë, për kontributin e tyre të rëndësishëm në promovimin e këtyre fushave si dhe në realizimin e reformave të rëndësishme në këto fusha jetike të vendit.
Gjithashtu, zoti Naço dhe zoti Vasili nga ana e tyre falenderuan Kryeministrin Berisha për të gjithë bashkëpunimin që kanë patur me të gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre dhe e garantuan se ata do të vazhdojnë këtë bashkëpunim në interesin më të mirë të mazhorancës dhe vendit.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni