Maqedoni, ndalohet puna në ambiente të hapura

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dje dhe pardje ka shqiptuar 25 vendime për ndalesë për kryerjen e veprimtarisë në firma të cilat nuk i kanë respektuar rekomandimet për të mos angazhuar punëtorë në terren në periudhën kur temperaturat janë më të larta dhe kur rrezatimi është i madh.

Sipas minsitrit të Punës dhe Politikës Sociale, Spiro Ristovski, prej sot do të pasojë edhe publikimi i emrave të firmave për të cilat inspeksioni do të përcaktojë se nuk i kanë respektuar rekomandimet për mosekspozimin e punëtorëve prej orës 11 deri në orën 17 dhe dënime në pajtim me Ligjin për siguri dhe mbrojtje gjatë punës.

“Duke e pasur parasysh rritjen e temperaturave dhe rrezatimin dje e lëshuam vërejtjen e fundit, por kjo nuk do të thotë se askush nuk është i ndëshkuar. Gjatë ditës së djeshme dhe të pardjeshme janë shqiptuar 25 ndalesa për kryerjen e veprimtarisë. Inspektorët e inspeksionit të punës tani më janë në terren. Absolutisht i qëndrojmë asaj që e kumtuam dje. Nuk do të ketë kurrfarë tolerimesh dhe të gjithë do të trajtohen njëlloj, pavarësisht se kush është punëdhënësi, do të shqiptohen ndalesa për kryerjen e veprimtarisë, ndërsa nga ana tjetër do të shqiptohen dhe tani më po shqiptohen masat përkatëse”, tha Ristovski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në konferencën për shtyp për projektin për kreditimin e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla.

Sipas tij, nëse gjatë ditës përcaktohet se firmat të cilave dje u është shqiptuar ndalesë do të ndëshkohen në pajtim me Ligjin për siguri dhe mbrojtje gjatë punës.

“Bëhet fjalë për kushte jashtëzakonisht të vështira të motit dhe nuk ka logjikë që të tolerohen të kryejnë detyra të punës prej orës 11 deri në orën 17. E kuptoj nevojën edhe të qytetarëve që të kenë rrugë të reja, megjithatë duhet pasur parasysh se e drejtë elementare është që secilit punëtor t’i sigurohen kushte normale për punë. Për momentin në kushte të jashtme nuk ka kushte elementare për punë në periudhën prej orës 11 deri në orën 17 dhe do të vazhdojmë ta zbatojmë ligjin pa dallim se kush është punëdhënësi dhe në çfarë projekti po punohet”, theksoi ministri i Punës dhe Politikës Sociale.

Pjesa më e madhe e kompanive të cilat punojnë në qiell të hapur janë të angazhuara në projektet e vetëqeverisjeve lokale për asfaltim. Duke i pasur parasysh paralajmërimet për rritjen e temperaturave dhe rrezatimin Ristovski thotë se personalisht është drejtuar deri te disa kryetarë të komunave në komunat ku realizohen projekte në të hapur. “Gjeta mirëkuptim të plotë dhe mbështetje pasi që disa prej tyre edhe vetë kishin shqiptuar sugjerime deri te kompanitë të cilat ua kryejnë projektet që ta ulin aktivitetin e tyre prej orëse 11 deri në 17”, theksoi Ristovski.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni