Lieberman: Kosova? Izraeli ka situatat më të komplikuara në botë

Në Shqipëri mbërriti sot me rastin e hapjes se ambasadës së Izraelit në Tiranë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm izraelit Avigdor Liberman.
‘Nëse dikush do të më thoshte atëherë kur isha student në Bashkimin Sovjetik, se një ditë do të bëhesha Ministër i Jashtëm i Izraelit dhe do të vija në Shqipëri për të inaguruar hapjen e ambasadës izraelite në Tiranë, nuk do ta besoja kurrë. Ky takim është një provë se si vendet tona kanë ndryshuar gjatë këtyre 20 viteve me një dinamikë dhe sfida të mëdha, si kanë evoluar marrëdhëniet midis dy vendeve, midis dy kombeve dhe miqve. . Arsyeja ime e ardhjes në Tiranë, është vetëm kjo, inaugurimi që i bëhet hapjes së ambasadës në Tiranë në mënyrë që këto dy vende të thellojnë bashkëpunimin mes tyre”. Kështu deklaroi sot ne Tirane, Avigdor Lieberman, ministri i Jashtëm i Izraelit në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Edmond Panariti.

Në fokusin e bashkëpunimit, Liberman kërkoi thellim të bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe një shtysë të re për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Në konferencën të përbashkët, Lieberman ka vlerësuar pozitivisht marrëdhëniet shumë të mira mes popujve dhe qeverive përkatëse, duke këmbëngulur se është koha që kompanitë izraelite të shohin vendin tonë si mundësi për investime.

“Hapja e ambasadës e shoh si shtysë të re për marrëdhëniet mes dy vendeve. Shtysat nuk duhet të jenë në kuadrin politik, por me hapjen e kësaj ambasade do ketë shtysë të re të marrëdhënieve ekonomike, nuk kam asnjë dyshim se marrëdhëniet ekonomike do të sjellin zhvillim në marrëdhëniet politike. Me krizën botërore është koha e duhur të ftohen kompani izraelite ta shohin Shqipërinë si në bashkëpunim. Shqipëria për mua është më shumë se destinacion strategjik”- tha ai.

Kosova
Pyetjes se përse Izraeli nuk e ka njohur Kosovën, z Liberman tha se qëndrimi i Izraelit nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën, por me gjithë rajonin e Ballkanit.
“Së pari, nga eksperienca jonë si Lindje e Mesme ne shpresojmë se kjo pjesë e botës do t’i zgjidhë problemet e saj në mënyrë paqësore. Shpresoj që të gjeni zgjidhje paqësore qoftë nëpërmjet bisedimeve dypalëshe, ashtu edhe nëpërmjet negocimeve të drejtpërdrejta. Rajoni jonë është pjesa më e komplikuar e botës, ne kemi mjaft situata të kompikuara jo vetëm në rajon, por edhe çështjet brëndshme. Qëndrimi jonë ka të bëjë me gjithë rajonin e Ballkanit, ku përfshihet edhe çështja e Kosovës dhe shpresoj që të gjithë popujt e këtij rajoni t’i zgjidhin problemet e tyre paqësisht”.

Po për këtë cështje, ministri Panariti theksoi se Izraeli ka njohur pasaportat e Kosovës.
“Ndaj të njëtin vlerësim si zoti Liberman, për forcimin e dialogut të niveleve të bashkëpunimit rajonal midis Shqipërisë dhe Kosovës, midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit dhe kjo padyshim është rruga më e mirë për integrimin e gjithë rajonit në Bashkimin Europian. Përsa i përket çështjes së Kosovës, padyshim që progres ka ndodhur, pasaportat e Kosovës tashmë njihen nga shteti i Izraelit. Kjo është sinjifikative dhe një tregues shumë i rëndësishëm, një vlerësim shumë objektiv i situatës rajonale”.

Panariti
“Momente të veçanta historike mes të dy popujve gjejnë sot shprehjen e tyre më kulmore me hapjen e ambasadës së shtetit të Izraelit në Tiranë”, u shpreh sot Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, në një konferencë të përbashkët për shtyp me zv/kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, z. Avigdor Lieberman, pas një takimi të veçantë që patën mes tyre.
“Marrëdhëniet historike mes dy popujve tanë janë të shtrira në shekuj. Por ne u mbështetëm fuqimisht tek njëi-tjetri sidomos gjatë viteve të errëta, mizore, të terrorit nazist. Zemrat dhe dyert e familjeve shqiptare u hapën për familjet hebreje. U hapën për një popull të martirizuar, por edhe të sprovuar me sakrifica të shumta”, tha Panariti.
Prej këtu, vijoi ministri Panariti, “lulëzon fara e miqësisë, e mirënjohjes, e respektit reciprok midis dy e popujve tanë”.
“Jam krenar që edhe familja ime u përket atyre qindra familjeve shqiptare që hapën zemrën dhe dyert për familjet hebreje. Të dy popujt dolën në dritë fitimtarë nga tuneli i errët i historisë. Dhe sot ne dy përfaqësuesit e këtyre popujve jemi këtu për ta dëshmuar këtë, jemi këtu për të dëshmuar vullnetin e dy qeverive tona për intensifikimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ne të gjitha fushat, veçanërisht në turizëm, bujqësi, teknologji, industri minerare, shfrytëzim pasurish nëntokësore e detare, por edhe bashkëpunim politk dhe atë ndërparlamentar”, u shpreh ministri Panariti.

Ministri Panariti theksoi se në takim u diskutua edhe për çështjet e bashkëpunimit rajonal dhe qëndrimeve për Lindjen e Mesme.
“Sot pasdite, me inaugurimin e ambasadës izraelite në Tiranë, ne së bashku vendosëm t’i japim një shtysë të re marrëdhënieve të shkëlqyera midis të dy vendeve tona”, tha Panariti.

Panariti shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve janë dhe do të jenë një model për t’u ndjekur edhe nga vendet e tjera.
Ministri Panariti gjithashtu kërkoi forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit në nivel rajonal mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit. “Padyshim kjo është rruga më e mirë për integrimin e të gjithë rajonit në Bashkimin Europian”, u shpreh Panariti.
Përsa i përket çështjes së Kosovës në raport me shtetin e Izraelit ministri Panariti tha se “padyshim ka ndodhur progres, pasi tashmë pasaportat e Kosovës njihen nga shteti i Izraelit, gjë që është diçka shumë sinjifikative”.

Me ardhjen e Ministrit Lieberman në Tiranë po sot në qendër të kryeqytetit shqiptar zbritën 3 ushtarë izraelitë me parashuta nga një helikopter. Mësohet se ushtarët zbritën me parashuta në qendër të Tiranës për sigurinë e ministrit të tyre.

Shqipëria dhe Izraeli kanë një marrëdhënie të vecatë mes tyre, të ushqyer vecanërisht pas mbrojtjes së rrallë që shqiptarët i ofruan hebrenjve që kërkonin t’i shpëtonin përndjekjes së nazistëve gjatë luftës së dytë botërore.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni