LEUTRIMI QE LINDI TRIM E QË SHKOI SI TRIM !

Shkruan: Albin KURTI

 

Të shtunën që shkoi nga pusia u vra djaloshi Leutrim Musliu prej fshatit Uglar të Gjilanit.  Bashkë me të atin e tij ai kishte shkuar të marrë dru në mal të cilat pastaj i shisnin në pazar. Nuk kishin pasur traktor ose ndonjë automjet me vete – drutë i ngarkonin në një qerre me dy kuaj. Aq e varfër ishte kjo familje saqë Leutrimi ishte detyruar që ta ndërprente shkollimin për t’i ndihmuar babait në këtë punë të rëndë fizike përmes së cilës siguronin bukën e gojës. Leutrimi që lindi trim e shkoi si Trim, tham sepse vetem trimat vdesin nga plumbat nga kushdoqofshin ata. 

 

Pikërisht më 5 mars kur gjithë shqiptarët dhe Kosova po përkujtonin me krenari rënien e Komandantit legjendar Adem Jashari dhe 55 anëtarëve të tjerë të familjes së tij, pra në ditën kur po shënonim 13 vjetorin e Epopesë së lavdishme të UÇK-së, u vra Leutrimi 13 vjeçar. Pylli ku atij dhe prindit të tij i ishte ngritur prita ndodhej midis fshatit Uglar dhe Pasjan të komunës së Gjilanit. Në fakt, pas decentralizimit mbi baza etnike sipas Planit të Ahtisaarit, Pasjani, duke qenë i banuar me serbë nuk i përket më komunës së Gjilanit. Ky fshat tash bën pjesë në komunën e re të Parteshit, një fshat tjetër ky po ashtu me popullsi serbe.

 

Mbi njerëz të paarmatosur kanë shtier me armë automatike një herë nga ana e majtë e pastaj edhe nga ana e djathtë persona tash për tash të panjohur. Përveç gëzhojave të  plumbave të automatikut në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe aso të pushkëve të tjera e madje edhe siguresa bombash. Dëshmitarët thonë të kenë dëgjuar së paku një eksplodim bombe. Leutrimi është qëlluar në bel, plumbi në dalje i kishte shkaktuar një plagë të madhe dhe ai ka ndërruar jetë pas më pak se gjysëm ore.     

 

Për këtë rast është arrestuar një serb me inicialet Zh. S. por i njëjti është liruar të nesërmen. Policia e Kosovës thotë se hetimet vazhdojnë dhe se njëri nga të dyshuarit kryesorë që ndodhet në arrati është pjesëtar i kundërzbulimit ushtarak të Serbisë, KOS-it famëkeq. Nëpër të gjitha shtëpitë që i ka bastisur policia në Pasjan janë gjetur armë e municion i shumtë dhe i llojllojshëm.

 

Në fillim u tha që kjo vrasje është bërë me motive etnike. Por, tash po del që është më shumë se kaq. Persona të strukturave elite të shtetit të Serbisë dyshohet se qenkan të involvuar në këtë krim të tmerrshëm. Zaten, kështu ka qenë gjithnjë. Serbët nuk i kanë vrarë shqiptarët sepse thjesht ata janë serbë e ne jemi shqiptarë. Luftërat nuk janë shkaktuar prej dallimit etnik a kombëtar si të tillë. Krimet ndaj shqiptarëve janë bërë prej serbëve të organizuar nga shteti dhe të udhëhequr nga shteti. Nuk na kanë vrarë serbët pse ishim të ndryshëm prej tyre por pse kështu shkruante se duhej bërë nëpër elaborate e projekte në Beograd. Serbia ka vrarë fëmijë shqiptarë në Kosovë para luftës, gjatë luftës por edhe pas saj. E vetmja risi është që ajo vazhdon ta bëjë këtë edhe tre vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

 

Paramendojeni situatën e kundërt. Po të vritej ndonjë fëmijë serb në Kosovë, sigurisht që edhe KS i OKB-së do të mbante mbledhje të jashtëzakonshme; dhe, jo vetëm që do të kishte shumë shqiptarë të arrestuar por asnjëri prej tyre, ama bash asnjëri, s’do të mund të lirohej të nesërmen.

 

Është indikative se si në çdo shtëpi serbe që është bastisur është gjetur shumë armatim. Kjo nuk do të thotë që policia e Kosovës kishte fat por më parë që çdo shtëpi serbe është përplot armatim. Ama për dallim nga shtëpitë e shqiptarëve, shtëpitë e serbëve bastisen eventualisht vetëm pasi të jetë kryer ndonjë krim.

 

S’ka dyshim që policia e Kosovës po mundohet ta mbajë këtë rast në një profil sa më të ulët. Të gjithë e dimë se si kur gjendet armatim në shtëpitë e shqiptarëve ai ekspozohet para kamerave dhe bëhet spektakël me atë punë. Jo edhe me këtë rast pasi që në pyetje janë serbët. Dikush madje ishte kujde
sur që t’i heq edhe lajmërimet për varrimin e Leutrimit nëpër qytetin e Gjilanit para se të varrosej ai të hënën.

 

Gjithsesi shumë çuditshëm po sillet kjo pavarësia e shtetit tonë.   


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni