LB: Dialogu për veriun, të shfrytëzohet për Kosovën Lindore

Dialogu për veriun është i pashmangshëm, mirëpo, kjo duhet të shfrytëzohet nga institucionet e vendit, dhe Kosova duhet të insistojë që të gjitha të drejtat që mund të kërkohen për serbët e Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut të plotësohen edhe për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Kështu ka vlerësuar Lëvizja për Bashkim, e cila, përmes një komunikate për medie, më tej thekson se Kosova ndodhet para një ballafaqimi serioz në veriun e saj: faktorët ndërkombëtarë të përfshirë në veri të Kosovës po e përgatitin dialogun Kosovë-Serbi.

“Ky dialog, në qoftë se jo sot, do të mbahet nesër – ai është i pashmangshëm. Kosova nuk duhet të pres që të detyrohet të hyjë në këtë dialog, por duhet të përgatitet seriozisht dhe ta ketë zgjidhjen për këtë çështje. Dialogu për veriun në vetvete nuk është kundër interesave të Kosovës dhe të popullit shqiptar – por nëse ne e refuzojmë ose hyjmë të papërgatitur në të ai do të paraqes rrezik të madh për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët”, thuhet në deklaratën e LB-së.

Sipas tyre, Kosova duhet të insistojë që të gjitha të drejtat që mund të kërkohen për serbët e Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut të plotësohen edhe për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Ndërsa, shprehen se Mitrovica veriore dhe fshatrat shqiptare në veri të Kosovës nuk mund të jenë pjesë e dialogut, sepse atje është kryer spastrimi etnik dhe se shqiptarët duhet të kthehen në pronat e tyre.

“Institucionet e Kosovës nuk guxojnë ta humbin këtë rast! Kosova ka mundësi që edhe të mos i prishë raportet me ndërkombëtarët, edhe t’i zgjidhë problemet e saj të brendshme, edhe t’u vijë në ndihmë shqiptarëve në veri të Mitrovicës dhe shqiptarëve në Kosovën Lindore. Kosova me një zgjidhje të mençur dhe largpamëse do t’ia hapte vetes dyert edhe për integrimet e saj kombëtare, edhe për ato ndërkombëtare. Përndryshe, çdo sjellje e papërgjegjshme, Kosovën do ta sjell në një situatë të vështirë dhe të pa perspektivë”, thuhet në deklaratë. /Zëri/


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni