Përfundoi takimi i dytë vjetor i CGDC

 

Ky takim global, përpos anës formale për të nxitur debatin në mes të politikanëve dhe biznesmenëve, kishte edhe aspektin e njohjes dhe thellimit të bashkëpunimit. Një karakter të tillë kishte edhe takimi i biznesmenit Lazim Destani me disa drejtues eminent të industrisë së energjetikës, njofton agjencia informative “Presheva Jonë” nga Wiena.

 

 

Lindita SEJDIU

 

Vjenë., 20 maj

 

Takimi i dytë vjetor i Qendrës për Dialog dhe Bashkëpunim Global, që u mbajt në Vjenë prej 16-18 Maj të këtij viti, i përfundoi punimet duke përmbledhur problematika interesante nga fusha e energjetikës dhe demokracisë. Jorastësisht edhe panelet terminologjikisht u identifikuan me këto problematika.

 

Në panelin e energjetikës u trajtuan temat: ”Trendet e energjisë në kontekst të zhvillimit social”, si dhe “Energjia dhe zhvillimi – përputhshmëria në mes të shpresave, reformave sociale dhe percepimet e publikut”, ndërkaq në panelin e demokracisë, përpos lirisë së shprehjes dhe rolit të mediave në demokraci u trajtuan edhe temat “Demokracia dhe fuqia ekonomike”, si dhe “Sfidat e lidershipit global në shekullin e XXI”.

 

Nga diskutimet e panelistëve doli në pah domosdoshmëria e promovimit të dialogut global për të nxitur stabilitet dhe zhvillim ekonomik mbi bazën e principeve etike. Ajo që përshkoi diskutimet e pjesëmarrësve ishte nevoja imediate për të mbështetur dhe kultivuar një vizion, sipas të cilit vlerat etike në biznes dhe në politikë janë thelbësore për mirëqenien e qëndrueshme dhe stabile globale.

 

Ndryshim i qëndrueshëm, sintagmë kjo që përshkoi gjithë moton e kësaj konference, u përvijua në formë mesazhesh që dolën nga diskutimet e panelistëve. Në mesin e tyre ishte dhe ish Presidenti amerikan Bill Klinton, të cilët edhe njëherë ngritën çështje të ndjeshme siç është dialogu serioz ndërmjet politikanëve, pastaj konsiderata ndaj vlerave etike dhe

virtyteve si: ndershmëria, besueshmëria, përgjegjshmëria, transparenca dhe besimi i ndërsjellë te biznesi dhe politika.

 

Ky takim global, përpos anës formale për të nxitur debatin në mes të politikanëve dhe biznesmenëve, kishte edhe aspektin e njohjes dhe thellimit të bashkëpunimit. Një karakter të tillë kishte edhe takimi i biznesmenit Lazim Destani me disa drejtues eminent të industrisë së energjetikës, me të cilët u njoftua më detajisht për sa i përket një bashkëpunimi eventual në të ardhmen, pasi që ekipi menaxherial i z. Destanit tashmë i kishte detektuar disa mundësi operimi në fushën e energjetikës në disa vende.

 

Një rast tepër i veçantë që lidhet me aktivitetet e presidentit të kompanisë Ecolog, Lazim Destanit në këtë konferencë, ishte edhe takimi i tij i shkurtër me dy figura të shquara të politikës dhe ushtrisë amerikane, me ish presidentin Bill Klinton dhe gjeneralin Vesli Klark. Si në çdo takim ndërkombëtar edhe me këtë rast z. Destani falënderoi këto personalitete për kontributin e tyre në çlirimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, duke potencuar se pa involvimin e drejtpërdrejtë të tyre Kosova nuk do të ishte aty ku është sot.

 

Më tutje gjatë bisedës z.Destani i ka informuar ata, se krahas bizneseve tjera të kompanive të tij, ata operojnë edhe në dhënien e shërbimeve të integruara logjistike forcave të NATO-s dhe armatës Amerikane, dhe jo vetëm në fushat e krizës, por edhe në vende të zhvilluara si për shembull në Gjermani. Kjo bisedë është konkluduar me një ftesë të veçantë për gjeneralin Vesli Klark nga ana e z. Destanit, për një vizitë në një nga selitë e kompanisë Ecolog për tu njohur më hollësisht me biznesin dhe bashkëpunimin e mundshëm me të në cilësinë e kështilltarit special.

Pjesëmarrjen në këtë konferencë të rëndësishme në Vjenë, z. Destani e konsideron edhe si rast shumë të favorshëm për t’i ripërtëri dhe zgjeruar bizneset që ai drejton.

Edhe për faktin se grupacioni i bizneseve të tij operon në përmasa globale në pothuaj katër kontinente të globit.

 

“Në këtë konferencë, si dhe shumë të tjera globale, në qendër të trajtimit ishte energjia dhe zhvillimi i qëndrueshem ekonomik e shoqëror dhe duke qenë se ne, tanimë edhe jemi prezent në eksplorimin e energjisë termale duke poseduar rreth 3% të burimeve botërore (deri tani të zbuluara në Botë) në regjionin e Turqisë Jugperëndimore, ky ishte një rast shumë i mirë për ne të përditësojmë dhe rishikojmë trendet më të fundit në këtë sektor”, theksoi Lazim Destani, në përfundim të kësaj konference, i cili njëherit ishte edhe biznesmeni i vetëm shqiptar që mori pjesë në këtë konferencë.

 

Sipas tij, këto konferenca janë më shumë oportunitete, por ai me këtë rast ka veçuar së paku dy dimenzione shumë të rëndësishme: së pari, në këto konferenca globale zakonisht lidershipi global lanson ide dhe kahje futuriste për zhvillimin e bizneseve, si në rrafshin gjeostrategjik poashtu edhe atë gjeoekonomik; së dyti, liderët nacional të kombeve më të fuqishme në botë promovojnë strategjitë e tyre dhe të vendeve që ata u prijnë dhe me këto raste lidershipi i bizneseve globale drejtpërdrejtë merr indikacione kah t’i orientojë trajektoret dhe trendet e biznesit te tyre. “Ne kemi përfituar shumë nga këto evenimente”, nënvizon z. Destani.

 

Për të elaboruar më detajisht efektet e pjesëmarrjes në konferenca të tilla globale si kjo e Vjenës, Lazim Destani është i mendimit se përmes pjesëmarrjes aktive në këto konferenca, përveç që dalim nga lëvozhga e kenaqësive tona lokale dhe klanore, njëherit hapim dritare të reja dhe kthjellohemi në pasqyrat e konkurrencës botërore. “Lehtë është të garosh në oborrin, apo terrenin tënd, por kur të dalësh ne mejdanin botëror, konkurrenca është e pamëshirshme, atë ose duhet ta mundësh, ose duhet t’i nënshtrohesh. Kjo ka qenë dhe gjithnjë e më shumë po bëhet filozofia e suksesit në biznesin tonë global dhe menaxhmenti ynë i lartë këtë strategji e ndjek”, shprehet z. Destani, për të nxjerrë konstatimin se nëse jo më shumë, pjesëmarrja në konferenca të tilla, së paku detekton zhvillimet më të fundit në politikat globale që përcaktojnë kornizën kah duhet orientuar bizneset qe të jeshë në harmoni, kohezion dhe sinergji me rrjedhat, në të kundërtën, thotë ai, del jashtë kornizave dhe lehtë mund të rrëshqasësh.

SHPËRNDAJE