Shënohet 13 vjetori i betejes së Koshares

Është shënuar të hënen Epopeja e Kosharës, njëra nga ditët më domethënëse të luftës çlirimtare të Kosovës, dita kur përfundimisht u shemb kufiri që ndante shqiptarët padrejtësisht. Në një akademi përkujtimore që u mbajt në varrezat e Dëshmorëve në Koshare, e në të cilën morrën pjesë qindra qytetarë, mes tyre edhe ish-luftëtarë, familjarë të dëshmorëve e përfaqësues të institucioneve të Kosovës, u tha se beteja e Koshares vazhdon të mbetet simbol i bashkimit dhe unitetit të popullit tonë. “Beteja e Koshares e ka simboliken e unitetit politik e kombëtar. Në këtë betejë luftuar djem e vajza nga e tërë Kosova dhe trojet tjera shqiptare, që në zemër e kishin Adem Jasharin, që respektuan urdhërat e komandantit të zonës së Dukagjinit Ramush Haradinaj dhe e respektuan autoritetin e presidentit Ibrahim Rugova”, ka thënë para të pranishmëve zëvendës Kryeministri Hajredin Kuçi.

Në akademinë që kësaj here është mbajtur nën patronatin e kryeministrit Thaqi, kanë folur edhe Rifat Jashari dhe deputeti Daut Haradinaj, të cilët gjithashtu kanë përquar mesazhe paqeje e mirëkuptimi tek të gjithë qytetarët e Kosovës.

Nga ana tjetër, duke folur në emër të bashkëluftëtarëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, ish eprori i kësaj brigade ka rikujtuar situaten e keqe në të cilën ende ndodhen ish-luftëtarët, invalidët e familjarët e dëshmorëve të luftës. “E gjithë bota është kthyer nga e ardhmja, e ardhme të cilën e synojmë edhe ne. Megjithatë, për hirë të së ardhmes, ne duhet ta kujtojmë të kaluaren dhe të mos e harrojmë sakrificën e të gjithë atyre që po i nderojmë sot”, ka thënë ish eprori Berisha.


Ndërkohë, në përvjetorin e trembëdhjetë të Betejes së Koshares, është vënë edhe gurthemeli i Kompleksit memorial të dëshmorëve i cili tash e sa vjet është duke u kërkuar me ngulm nga pjesmarrësit e kësaj beteje. Sipas veteranëve të betejes së Koshares, ndonëse i vonuar, ky hap për ngritjen e kompleksit memorial është i mirëseardhur dhe në nderim të të gjithë atyre që sakrtifikuan për lirinë e ditëve të sotme.

Sot shënohet 13 vjetori i Betejës së Kosharës

Më 9 prill të vitit 1999 ishte thyer kufiri i hekurt midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Në betejën e Kosharës kanë rënë 116 dëshmorë në mesin e të cilëve komandantët Sali Çekaj, Agim Ramadani, e të tjerë, ndërsa janë plagosur rreth 350 ushtarë të UCK-së. Sot gjatë gjithë ditës do të bëhen homazhe në varrezat në Koshare.

Ndërkaq, në Prishtinë nën patronazhin e kryeministrit shoqata e veteranëve të luftës së Koshares ”Brigada 138” organizon manifestimin ”Ditët e Shqipes”./bs

SHPËRNDAJE