Kosova ka hapur vizionin e shtetit të bërë dhe demokratik

Në fillim të Konferencës “Kaptinë e mbyllur në Ballkan”, sot u tha se po përmbyllet një kapitull të historisë më të re të Kosovës për të hapur vizionin e shtetit të bërë dhe demokratik.“Sot është dita e parë e këtij fillimi historik për ne, nga sot e tutje sfidat e shumta e të reja do të qëndrojnë para shtetit të ri të Kosovës”, është thënë në këtë konferencë, në të cilën po marrin pjesë krerët më të lartë të institucioneve vendëse, ambasadorë dhe përfaqësues të ndryshëm diplomatikë në vend dhe jashtë tij.Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se Kosova po e përmbyllë një kapitull dhe po e hap një të ri në historinë e saj.“Po e hapim një faqe të re të historisë sonë, të synimit të qytetarëve të Kosovës, që si popull i lirë dhe i dinjitetshëm dhe i barabartë, të bëhen pjesë e familjes ës madhe evropiane. Ne po e realizojmë një ëndërr të kamotshme për liri, pavarësi e demokraci, për të cilën punuan e sakrifikuan gjenerata të tëra gjatë historisë sonë”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, e ndërtuar si vullnet i popullit me përkrahjen e pakursyer ndërkombëtare, Kosova ka kaluar një rrugë jo pa vështirësi.
“Dallimet tona i kemi shndërruar në përparësi dhe pa harruar të kaluarën tonë të dhimbshme po e ndërtojmë të tashmen për t’i hapur rrugë të ardhmes sonë”, ka thënë ajo.

Jahjaga ka theksuar se shteti i Kosovës i ka rrënjët e thella në vlerat evropiane, ku shtet ndërtimi ynë është i bazuar në parimet e larta të demokracisë, të respektimit të lirive dhe të drejtave dhe me barazi për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

Sipas saj, e ardhmja e Kosovës është e sigurt si pjesë e pandashme e Evropës. Ajo i ka bërë thirrje BE-së që të flasë me një zë vendet e rajonit, me theks të veçantë për Kosovës, pasi që, sipas saj, kjo do t’u ndihmojë shumë përafrimit të këtyre vendeve.

Ndërkaq, Kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë se dita e sotme është ditë historike për vendin, duke shtuar se vendin e presin edhe shumë sfida të mëdha.

“Sot është dita e parë e këtij fillimi historik për ne, nga sot e tutje sfidat e shumta e të reja do të qëndrojnë para shtetit të ri të Kosovës. Mirëpo, janë këto sfida të zakonshme të shteteve të pavarura të shoqërive të përgjegjshme, janë sfida të kuptueshme, të pranueshme dhe të tejkalueshme. Pikërisht, këtë e shoh si moment tepër me rëndësi në historinë e shtetit tonë të ri, momentin kur arritëm që të trajtohemi të barabartë nga të tjerët dhe që veten ta përjetojmë të barabartë me të gjithë”, ka theksuar Thaçi.

Sipas tij, fundi formal i mbikëqyrjes së pavarësisë e mundëson këtë.

“Ajo mundëson që përmes këtij trajtimi të barabartë të rritet vetëdija jonë mbi përgjegjësitë e përbashkëta që kemi ndaj qytetarëve, ndaj fqinjësisë dhe ndaj mbarë botës demokratike”, ka thënë ai.

Gjithashtu ai ka theksuar se prej sot Kosova nuk do ta ketë më Grupin Drejtues Ndërkombëtar, por nuk do të ketë as hapësirë për t’u arsyetuar dhe në këtë drejtim ai ka shtuar se sukseset e ardhshme do të shpërblehen, porse edhe dështimet do të ndëshkohen.

Në këtë konferencë një fjalë rasti e ka mbajtur edhe Pieter Feith, deri dje mbikëqyrës i pavarësisë së Kosovës.

Ai ka thënë se dje ishte vetë dëshmitar i përmbylljes së një kapitulli të fundit për Ballkanin, duke shprehur kënaqësi që është pjesë e një konferencë në të cilën Republika e Kosovës e hap një kapitull të ri.

“Dje pas dite në aktin e fundit si përfaqësues civil ndërkombëtar në mbikëqyrjen e implementimit të pakos së Ahtisaarit kam qenë dëshmitar i përmbylljes së kapitullit të fundit për Ballkanin dhe jam i kënaqur që marrë pjesë në këtë konferencë për fillimin e ri të Kosovës në kapitullin e ri dhe këtë nuk do ta bëj më si një përfaqësues civil ndërkombëtar, por si një qytetar civil i Bashkimit Evropian”, ka thënë ndër të tjera Feith.

Konferenca vazhdon gjatë tërë ditës, ku pritet të flasin shumë personalitet të rëndësishme ndërkombëtare.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni