“Nuk është letërsia ajo që mund të ndreqë problemet e kësaj bote; letërsia mund ta pretendonte këtë gjë, por me këtë kusht ajo s’do ish më letërsi”, thotë pak a shumë Ismail Kadare qysh në fillim të intervistës që i kanë marrë gazetarët serbë të revistës NIN

 

Dhe me këtë i ka hapur rrugën vetes për të thënë ato që do të thotë. Jo më kot saktëson aty për aty: “fjalët e mia [të merren] brenda kushtëzimit që përmenda më lart”. Dhe ia nis ….

Ndalet më së pari tek një nismë e OKB-së për të censuruar Danten në pjesën anti-myslimane të tij. Kadare e quan këtë një nismë për të ndaluar Danten, dhe gjen rastin të pyesë se “ç’do të bëhet, për shembull, me një shkrimtar jo fare gjenial, por sidoqoftë të madh si Turgenjevi, i cili hynte e dilte në sallonet e Parisit, por ndërkaq andej nga Rusia e largët, vinte lajmi se kishte nja pesë mijë bujkrobër në çifligun e vet!?

Së dyti, i ngacmuar nga një vëzhgim i intervistueses Branka Bogavac mbi librin Mosmarrëveshja që, sipas saj, është një libër shumë kritik për Shqipërinë, të cilin autorë të tjerë ballkanas nuk e kanë bërë me vendet e tyre, Kadare kapet pas një mesazhi të supozuar të Europës për ballkanasit: “Të këqijat tuaja vijnë prej faktit që ju e doni më shumë se sa duhet veten”, gjë që merret, sipas Kadaresë, për një apel shkombëtarizimi. Europa, vijon ai, duhet t’u thotë ballkanasve tjetër gjë: “S’është puna ta doni më pak veten, por ta doni më mirë”.

Së treti, Kadare veçon si 100% ballkanikë vetëm tre popuj, grekët, shqiptarët, sllavët. “[Këta] nuk janë vetëm tre popuj bashkë në zonat e veta, por janë tri qytetërime, me tri kultura, me tri gjuhë (madje secila me alfabetin e vet: latin, cirilik dhe grek). Ballkanet nuk mund të përfytyrohen, qoftë dhe pa njërin prej këtyre përbërësve. Të ngulur prej shekujsh në këtë rajon të Europës, ekzistenca e asnjërit prej tyre nuk mund të kushtëzohet prej tjetrit. Në rast ndërlikimesh, me hir apo me pahir, jemi të detyruar të merremi vesh.”

Së katërti, Kadare thotë se asnjë nga këta popuj nuk mund shkulet prej gadishullit. E këtu, gjen rast të përmendë të vetmen “doktrinë në Ballkan, një draft të vitit 1938, që kërkon haptas dëbimin e njërit prej këtyre tre popujve prej gadishullit. Ky draft është shkruar prej një akademiku të njohur me emrin Vasa Çubrilloviç dhe titullohet Dëbimi i Shqiptarëve”.

Së pesti, Kadare evidenton faktin që kjo doktrinë, ashtu si dhe ajo që u bë mbi shqiptarët e Kosovës më 1999, nuk është dënuar nga serbët. “Në qoftë se do të zbulohej një doktrinë e ngjashme në vendin tim, në Shqipëri, do të pranoja publikisht jo vetëm turpin për mosdënimin e saj, por edhe turpin për vonesën e dënimit”, nënvizon shkrimtari shqiptar.

Së gjashti, Kadare i përgjigjet pyetjes: Çfarë duhet bërë për zbutjen e konfliktit mes shqiptarëve serbëve? Dhe thotë: “Dihet se në planetin tonë, vendet, trojet, qytetet nuk përcaktohen as nga drurët, as nga kaprojtë, as nga ndonjë shenjë tjetër që ndodhet sipër tyre, por nga njerëzit. Shkurt, toka dhe njerëzit mbi të shkojnë bashkë. Kosova banohet nga shumicë shqiptare, rrjedhimisht, në të gjitha kuptimet ajo konsiderohet në radhë të parë shqiptare.”

Së shtati, vjen pyetja pak me spec: A keni qenë dakord për ndëshkimin e Serbisë? Por Kadare nuk bën lojën e mohimit; përkundrazi. “Po, dhe ende sot ruaj të njëjtin mendim”, thotë. Dhe vazhdon: “Historia e njerëzimit rrallë, tepër rrallë, ka njohur një bombardim të pashmangshëm, të nevojshëm. Por historia e njerëzimit nuk ka njohur kurrë një masakër të nevojshme. Ndaj, në mungesë të një zgjidhjeje tjetër, me shumë dhembje do të lejohej përdorimi i bombave. Ky ka qenë arsyetimi im”.

Së teti, ….. Intervista është e gjatë, e rëndësishme, e me mesazhe të panumërta. Është një nga intervistat më impenjative që mund të ketë dhënë ndonjëherë Ismail Kadareja, nëse kemi parasysh audiencën./respublica.al

SHPËRNDAJE