Jeton Neziraj fiton çmimin INPO për “Nxitje të debatit”

Sivjet fitues i shpërblimit të Iniciativës për Progres (INPO) është dramaturgu dhe skenaristi Jeton Neziraj. Si motivacion bazë për ndarjen e këtij shpërblimi, krijuesit Neziraj, INPO-ja ka pasur punën e tij në mbrojtje të vlerave kulturore si dhe guximin e tij intelektual për të sfiduar ndërhyrjet etatiste të pushtetarëve në aspektet kulturore. Shkrimet e Nezirajt bën që të sensibilizohet opinion i vendit si dhe ai ndërkombëtar për diktatin e politikës mbi kulturën në përgjithësi si dhe për teatrin në Kosovë në veçanti. Shembulli i Nezirajt flet më së miri se sa lehtë rrezikohet demokracia në vend dhe se sa është e nevojshme mbrojtja e saj.

INPO ka katër vite rresht që e ndanë këtë shpërblim dhe laureatë të tij deri më tani kanë qenë: Halil Matoshi, Enver Robelli, Shkelzen Gashi dhe Bardh Frangu. Avni Bytyçi, Drejtor Ekzekutiv i INPO-s u shpreh se ndarja e çmimit për “Nxitje të debatit” është një nder për INPO-n dhe gjithashtu një hap drejt luftës për demokraci gjithëpërfshirëse si mision i organizatës.

Fjala e z. Jeton Neziraj

Të nderuar miq, kolegë dhe të pranishëm në këtë ceremoni!

Duke qenë se, për shkak të qëndrimit tim në një rezidencë artistike në Paris, e kam të pamundur të jem fizikisht sonte me ju, më lejoni që, përmes kësaj letre, t’ju falenderoj sinqerisht për çmimin për “Nxitje të Debatit”, me të cilin ju më keni nderuar. Ndjehem shumë krenar sidomos për faktin që ky çmim sivjet i shkon, ta quaj ashtu, një “kauze kulturore”. Në vendin tonë, çështjet kulturore, të çfarëdolloj formati e konteksti, asnjëherë nuk ia kanë dalë të marrin vëmendjen e merituar.

Në Kosovë ka kontroll politik mbi artin dhe kulturën. Dhe ky kontroll manifestohet në të gjitha institucionet kulturore publike e jo-publike. Për më tepër, ky është kontroll i një mendjeje të ndryshkur politike anakronike, e cila kulturën e këtij vendi e trajton si një paçavër, me të cilën përpiqet t’i fshijë të palarat dhe marrëzitë e veta.

Ministria e Kulturës, e drejtuar nga një Ministër i dobët, ngadalë por me sukses, po e instalon sistemin e ‘klientelës’. Duke i shndërruar artistët në klientë, ajo po e zhvillon suksesshëm taktikën e ‘shukatjes’ e të ‘trullosjes’ kulturore. Kësisoj ajo, në ambientin tonë kulturor, po e instalon një garniturë servilësh, të cilët për një kockë të dhuruar janë në gjendje t’ia sheshin shpirtin djallit.

Politikat ‘kulturore’ partizaneske, fisnore, klanore e manipulative, të cilat kanë nisur të lëshojnë rrënjë në jetën kulturore në Kosovë, duhet të na shqetësojnë. Këto janë metoda të sistemeve totalitare, këto janë metoda të sistemeve që ngriten mbi logjikën e diktatit, të kontrollit e të trysnisë.

Dy shembujt më të turpshëm të këtyre politikave ‘kulturore’ banditeske, që padyshim në historinë kulturore të shtetit tonë të ri, do të mbesin si dy mostra të këtij përçudnimi e degradimi të tmerrshëm kulturor, janë ndalesa që iu bë shfaqjes “Çifti Martin” për pjesëmarrje dhe paraqitje në Teatrin Atelje 212, në Beograd, dhe vendimi politik arbitrar për shkarkimin e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Duke qenë i varur financiarisht nga shteti, teatri në Kosovë nuk ka arritur që të lirohet nga kthetrat e politikës. Oportunizmi kundrejt politikës e ka rrënuar kredibilitetin e teatrit, i cili, përkundër kësaj, do të duhej të ishte një institucion në të cilin sfidohet politika, në të cilin sfidohet e ‘vërteta’ e servuar nga politika. Në njëfarë mënyre, teatri në Kosovë është shndërruar në një “palaço të oborrit mbretëror”! E ky palaço nuk është një lolo që, me sarkazmën e tij, ia përplas të këqijat në fytyrë mbretit, por një palaco i mjerë e krejtësisht servil në shërbim të tij.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni