Homoseksualët martohen në kishë

Parlamenti i Danimarkës aprovoi ligjin që iu mundëson çifteve të të njëjtës gjini të martohen në kisha të Danimarkës.

Në vitin 1989 Danimarka ishte shteti i parë që martesat homoseksuale i shpalli të ligjshme, ndërkaq në vitin 2009 ajo lejoi edhe adoptimin e fëmijëve nga çiftet e gjinisë së njëjtë.

Duke filluar nga 15 qershori, ligji i ri u mundëson çifteve homoseksuale që të organizojnë ceremoni kishtare gjatë martesave.

Kisha daneze, që dikur njihej si Kisha Evangjeliste Luterane e Danimarkës, paraqet bashkësinë më të madhe fetare në vend – me afro 80 përqind të popullsisë daneze. Prijës i saj është monarku i shtetit.

Peshkopët e kishës daneze duhet që, deri më 15 qershor, të krijojnë një ceremoni të përshtatshme të martesës për çiftet homoseksuale. Por, pavarësisht asaj se ceremonia do të jetë ndryshe, statusi i tyre martesor do të jetë i njëjtë me atë të heteroseksualëve.

Kryeministrja daneze, Helle Thorning-Schmidt, matarimin e këtij ligji e ka quajtur akt historik për vendin./ Express-i


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni