Helena Kadaré: “Le temps qui manque”. Botues Fayard, Paris

   Ngjashëm me vetë autoren e librit voluminoz me titull “Le temps qui manque”, që, në muajin tetor të vitit të kaluar, e nxori në dritë shtëpia e njohur botuese “Fayard” e Parisit që, sikurse dihet tashmë botërisht, është botues ekskluziv i veprës gjigante letrare të Ismail Kadaresë në gjuhën frënge, Elena Kadaré, kur shumë kohë eci (bashkudhëtoi) me dilemën, si barrë në shpinë, a t’i qaset, a mos t’i qaset, shkrimit të këtij libri, njashtu edhe unë (imtësia ime), ka ditë, ose saktësisht nga çasti që e çela dhe nisa ta lexojë, me brenë dilema: a të provoj, a mos të provoj, të qes në letër ndonjë shkrolë për ketë libër. Sa herë e mëshova kushtrimit e  thash po, aq herë e më shumë, këtë po, e mbulova me një jo rrënuese dhe më një pse të madhe?

Shkruan: Bjaram SEFAJ

Me gjithë atë mal dilemash, për nisur  këtë ndërmarrje të madhe, Helenës ideja përfundimisht i lindi,  i “piku” (siç thuhet edhe ndryshe), një ditë (të bukur e me diell) të verës 1996, gjersa në tarracën e Gradska kavana, në Dubrovnik, gjerbte kafen e mëngjesit. Dhe, ja,  pas katërmbëdhjetë vjetësh (1996-2010), pune të madhe, energjike, sistematike, studimore, lexuesi francez (dhe ai i çarkut frankofon në përgjithësi), ka në dorë librin voluminoz “Le temps qui manque”, dikush shënoi se, ky titull është huazuar nga një vjershë që I. Kadare, ia  kushton asaj, Helenës, pra.  

Predominoi, qiti kokë  po-ja, gatishmëria të provoj të them ndonjë fjalë me tepër për këtë libër, pikësëpari, nga respekti she admirimi që kam ndaj Helenës, si grua fisnike, si shkrimtare  e mirënjohur dhe përkthyese e vyer, por, mbase edhe nga motivi naiv, rrahagjoks dhe krenar, pse këtë vepër voluminoze, me madje shtatëqind e pesëdhjetë e dy faqe (exact), gjithnjë në frëngjisht, (në  gjuhen që nuk e flas dhe nuk e shkruaj as lexojë, pa mund e pa gabime!), jo vetëm me vëmendje të përqendruar, por, edhe me kënaqësi të madhe e lexova pikë për pikë. Fund e krye, me lezet!

Prej faqes së parë, kur fillon me një si parathënie (En guise d’introduction) e deri në faqen 752, kur Helena, e mbyll portat e kësaj “epopeje”, le të quhet edhe kështu. Është e vërtetë se, para së gjithash, apo si të thuhet, motiv vendimtar dhe i patundur dhe rezistues ndaj të gjitha stuhive të mundshme, për ta lexuar këtë libër, ishte e vërteta së brenda kopertinave të tijt, fund e krye, ishte i pranishëm emri i të madhit Ismail, të cilin bashkëshortja dhe bashkudhëtarja e tij besnike, Helena, autore e këtyre memuareve, e quan ose e kryqëzon, vetëm me dy shkronjat e para të emrit të tij, pra Is,duke kursyer aq shumë edhe kohë edhe hapësirë!   
Ndoshta, pikërisht këtu është vendi dhe është rasti (më) i volitshëm, të thuhet këtu se ky është libri më i madh (lexo: me i trashë!), i shkruar ndonjëherë nga një autor/e në gjuhën shqipe. Duke llogaritur këtu edhe  librat letrarë, por, edhe më të rrallë në shkrimtarinë  tonë, ata memuaristikë, gjini së cilës i përket libri në fjalë. Mund të gjendet, rrallë e për mall, të hasësh në ndonjë roman, gjithnjë në gjuhën shqipe, të ketë edhe më shumë fletë, por i ndarë së paku, në dy, a më shumë, vëllime.

Fill pas asaj të zakonshmes së “një si parathënie” ku autorja flet për momentin vendimtar të “rrugës së shkrimit”, e deri në faqen e fundit, lexuesi humbë në dallgët, jo të një lumi të madh e të rrëmbyeshëm, por më parë, tundet mbi valët e një deti a oqeani, të trazuar. Ashtu si është shkruar ashtu edhe lexohet ky libër, monument i shkruar Me një frymë dhe hiç pa u ndalë.

Fitohet përshtypja, për të mos thënë bindja se, autorja pasi që ka shkruar mbarë tekstin e memuarëve, deri të point final (pika finale), është ndaluar e ka menduar mirë. Tekstin e ka pjesëtuar (ndarë) në nënte kapituj (mbase ky numër, në simbolikën e tij, ka ndonjë lidhje më nëntë rrathët e ferrit dantesk, (që nuk është tjetër veçse një supozim, një mundësi!). Nëntë pjesët në të cilat ndahet materia e bollshme (lënda) e këtyre momuarëve, autorja ( Helenë) i quan kështu: Letra nga shteti i ftohtësisë se madhe, (Courrier du pays des grands froids, 17-141 faqe); Jeta në çift, ( Vie en couple,141-253 f.); Ngrirje dhe shkrirje, (Gels et dégels, 253-389 f.); Nënshtrimi, (Résigné 398-457); Ndarja, (La rupture, 457-515 f.); Nibelle, Shqiponja e lënduar, (Nibelle, L’aigle brisé, 515-607 f.); Midis Tiranës e Parisit, (Entre Tirana et Paris, 607-651 f.); Një stil tjetër i jetës(ës), (Un autre style de vie, 651-651 f.) dhe, Një sfinks në dimër, (Un sphinx en hiver, 651-752 f.).
Sado që teksti është i ndarë dhe është fiksuar midis numrave të caktuar faqesh, pothuaj se kjo nuk ka kurrfarë rëndësie praktike (aq më pak, sqaruese), nga se teksti lexohet si një kronike maratonike, si një rrëfim i vetëm dhe askund i pa ndalë, që, natyrisht se respekton renditjen kronologjike të ngjarjeve. As kjo nuk është plotësisht e vërtetë, nga se autorja, aq shpesh, përdorë retrospektivën, s’do mënd, duke e  plotësuar dhe ngjyrosur atë me ngjyrat më të forta, gjithnjë duke ruajtur tërësinë e rrëfimit dhe ecurinë e tij, aty-këtu, duke e shpjerë atë deri në nuanca më të imëta (nga njëherë edhe mikroskopike), si të panevojshme fare!

Ndryshe, memuaret si memuaret, janë të mbushura plot me ngjare e ndodhi ndër më të ndryshmet, por gjithmonë të rëndësishme dhe që kanë lidhje të ngushtë me Is (Ismalin) dhe universin e tij titanik letrar. Diku, (në cilën faqe saktësisht?), Helena, ndër të tjera, thotë se një ish koleg (rus) i Is, nga ditët shkollore në Institutin Gorki, në Moskë, ndërkohë ishte rritë në popullaritet si poet i madh, gjë që më së miri dëshmohej me libër të trashë memuaresh (kujtimesh). Nëse kjo gjë merret si masë e popullaritetit që gëzon një personaliet, artist në përgjithësi, apo një shkrimtar, sikurse është në këtë rast, Is (Ismail Kadaré), meriton jo vetëm 752, por libër edhe më shtatëmijë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e dy faqe!

Pa hyrë më thellë në zbërthimin e këtij libri monument(al), kur një gjë e tillë pothuajse është e pamundur të bëhet me pak fjalë, aq më parë kur për t’u arritur  një gjë e tillë kërkohet  mjeshtri e hollë dhe mendje e ndritur, ngutemi të vëmë pikën mbi i (point final), në këtë shkrim rasti e, fjalën t’ia japin botuesit. Për këtë qellim do të përpiqemi që, sa më besnikërisht e mundur (në interpretim të lirë), të riprodhojmë ato fjalë që editori i vë në kapakun mbyllës të librit. Aty, thuhet:” Edhe ajo vetë shkrimtare, bashkëshortja e Islmail Kadaresë, Helena Kadare, zbulon në këtë rast, fatin e një çifti bashkëshortësh të jashtëzakonshëm. Në këtë rrëfim të pasur (plot) ngjarje që dalin nga jeta e rëndomtë e një jete në dysh, shfaqën aktuale (të freskëta), nga jeta gjysmëshekullore e këtij çifti, që pa (njohu) kulmin, e pastaj, agoninë dhe fundin e regjimeve komuniste në Evropën lindore.

Në ambient të miqësisë, në takimet, në të fshehtat e përbashkëta (të ndara), ky çift gjeti energji dhe guxim të tejkalojë ankthin e rendë mbi banorët e shtetit më të mbyllur (hermetik) dhe më misterioz të Evropës. Përtej pasurisë me shumë anekdota, rrëfyer më një humor që jep v
etëm eksperience  e tragjedisë, këto memuare janë dëshmi e dorës së parë mbi kompleksin e “punës së laboratorit” që elaborohet në veprën e Ismail Kadaresë, si në një strategji që është përdorur për të  zhbërë censurën  ose për t’i vë nën strehë, në Francë, tekstet më të rrezikshme. I gjithë ky aspekt është pasuruar me një numër të madh tekstesh të pabotuara. Kjo “speologji” e një nëntoke të kreacionit letrar sqaron (shpjegon) mrekullinë e një gëzimi që del në sipërfaqe: në më shumë se njëzet mijë faqet e veprës se botuar. Ngjarjet e radhitura njëra pas tjetrës, me një guxim të jashtëzakonshëm, me një çiltëri të rrallë, plot lehtësi e emocione, bëjnë që kjo kronikë e gjerë, të lexohet si një roman aventure dhe pasioni të tillë që del dhe inspirohet nga dashuria për art dhe liri”.

Në fund të këtij teksti të thuktë, sa përmbledhës aq edhe zbërthyes¨, (me kusht që përkthimi spontan nuk e ka lënduar për aq!), për lexuesit e vetë, botuesi jep këtë informatë të shkurre për autoren. Helena Kadaré është lindë në Fier, në Shqipëri. Autore dhe përkthyese, ajo kohen e saj e ndanë midis Francës dhe vendit të vet.
Tani e disa muaj pas botimit, libri i memuareve “Le temps qui manque” (Kohë që mungon) të Helena Kadare, ka marrë rrugën e gjatë drejt lexuesit, gjithandej nëpër Francë e gjetiu, duke i sjellë autores gëzimin e kontaktit dhe të komunikimit me lexuesit e shumtë dhe duke marrë drejtpërdrejt gjykimin e tyre, për këtë libër dhe, padyshim vlerën e tij të shumëfishtë.  
                ————–
Diçitura:
1. Kopertina e librit memuaristik “Le temps qui manque”
2. Helena Kadaré e tashme të “përballet” me lexuesit, ngado qofshin ata


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni