Gruevski zbut tonet ndaj BE-së

Mhttp://www.botasot.info/img/Konferenca_862764042.jpegaqedonia është e gatshme të nis bisedimet për anëtarësim me BE andaj do të ishte e drejtë dhe e ndershme po të na mundësonte këtë Bashkimi Evropian. Kështu u shpreh kryeministri Gruevski në konferencën, ‘Sfidat evropiane të Ballkanit Perëndimor’. Çështjet bilaterale nuk duhet të jenë pengesë për vendet që aspirojnë anëtarësimin, por kriter i vetëm duhet të jetë progresi i shteteve. Gruevski ndryshe nga deklarata e mëparshme rreth raportit të progresit kur kritikoi komisionarin Fyle, sot në prani të përfaqësuesve të BE-së, theksoi hapat konkrete që ka marrë vendi në fushat kritike që ishin notuar në raport sikurse për pavarësinë e gjyqësorit, administratës publike, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe mediat.
“Unë jam i bindur që në këtë moment Maqedonia është e gatshme edhe në aspektin kadrovik e organizativ, por edhe kulturor që të fillojë bisedimet me BE, dhe kjo do të jetë e drejtë dhe e ndershme që të na mundësohet, ndërsa nga kjo do të përfitonte i gjithë rajoni”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër.
Nga ana tjetër përfaqësuesi i KE-së Stefano Sanini, shprehi bindjen se Maqedonia së shpejti do të marrë datën për të filluar bisedimet.
“Unë mendoj se ky ka qenë vit i mirë dhe shpresoj se në dhjetor mund të kemi lajme shumë të mira, dhe shpresoj se kjo është e mundur për shumë shtete të rajonit për të lëvizur në drejtimin e duhur”, u shpreh Stefano Saninio, Drejtor i Drejtorisë së përgjithshme për zgjerim, KE.
Ndërkohë zv/ kryeministrja Teuta Arifi, nënvizoi rëndësinë e faktorit shqiptar në shtyrjen përpara të proceseve euro-intregruese.
“Ndjehem veçanërisht e nderuar edhe me prezencën e dy zonjave evropiane nga Shqipëria dhe Kosova që edhe njëherë dëshmohet konstruktiviteti shqiptar në rajon dhe orientimi shqiptar për sa i përket proceseve euro-integruese”, tha Teuta Arifi, zv/ kryeministre për çështje evropiane.
Nga ana tjetër ministrja e Kosovës për eurointegrime, shprehi keqardhjen për anulimin në moment të fundit të pjesëmarrjes edhe pse të konfirmuar të zv/ kryeministrit serb Bozhidar Gjeliq.
“Unë shpreh keqardhjen se kolegu im nga Serbia ka bojkotuar këtë takim,mbase është e nevojshme të sqarohet që elementi i përhershëm i integrimit evropian është dialogu”, deklaroi Vlora Citaku, ministre për eurointegrime, Kosovë.
Ndërkohë ministrja për euro-integrime të Shqipërisë Majlinda Brengu, tha se Shqipëria edhe këtë vit ngeci në procesit euro-integrues për shkak të bojkotit të opozitës.
“Ne këtu jemi për të diskutuar për raportin që është publikuar pak ditë më parë dhe problemi të cilën në gjuhën e KE-së quhet dialogu politik dhe në gjuhën tashmë të konsoliduar të problemit në Shqipëri quhet bojkoti i opozitës, që do të thotë bojkot i cili ka bllokuar procesin e integrimit të vendit në BE, në kuptimin e marrjes së statusit kandidat”, u shpreh Majlinda Bregu, minister për euro-integrime të Shqipërisë
Në konferencë e organizuar nga Sekretariati për çështje evropiane, ishin të pranishëm të gjithë ministrat e angazhuar për çështje evropiane të Ballkanit Perëndimor, përfshirë dhe Turqinë. Përveç raportit të progresit, pjesëmarrësit kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit rajonal në proceset euro-integruese por edhe shfrytëzimin e fondeve IPA dhe projekteve tjera të përbashkëta.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni