Gjykimi kundër shqiptarit që dogji flamurin maqedonas

Në Gjykatën e Strugës sot do të mbahet procesi gjyqësor kundër Mynir Ismailit, autorit të aktit të djegies së flamurit maqedonas para komunës së Strugës.

Mynir Ismaili nga fshati Shum i Strugës më datë 23 janar dogji flamurin maqedonas para ndërtesës së komunës së Strugës, në prani të shumë qytetarëve dhe kalimtarëve të rastit.

47 vjeçari akuzohet për kryerjen e veprës penale për veprën që nxit urrejtje ndërnacionale, ndërfetare dhe kundër simboleve.

Myniri ka deklaruar se e ka bërë këtë akt në afekt në shenjë mllefi, ofendimi dhe revolte, pas ngjarjeve që paraprinë me fyerjet dhe brohoritjet antishqiptare nëpër stadiume dhe palestra sporti në vend dhe jashtë vendit, përfshirë këtu edhe kampionatin evropian në hendboll, që mbahej në Serbi, ku brohoritjet e orkestruara antishqiptare arrinin kulmin dhe djegien e flamujve shqiptarë.

“Ishte shprehje e mllefit dhe thjesht një mesazh kundër këtyre dukurive anticivilizuese, për të ndërprerë këto thirrje dhe brohoritje të një shqiptarofobie të orkestruar”, ka thënë Mynir Ismaili, i cili ka mbetur edhe pa avokat mbrojtës, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth kërkesave për mbrojtje.

Për këtë proces gjyqësor, mbretëron interesim i madh jo vetëm në Strugë por edhe më gjerë, sepse është refleksion i zhvillimeve dhe ngjarjeve të përgjithshme në Maqedoni.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni