Gazeta SHQIP – Tiranë: Haxhinasto: Abetarja, politizimi nuk i shërben askujt !

Debati për simbolet kombëtare në abetaren shqipe shpërndarë për fëmijët e Luginës së Preshevës është i paqenë. Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto ka sqaruar në një intervistë për agjencinë “Presheva Jonë”, pozicionin e qeverisë shqiptare dhe ambasadorit Çaushi në këtë çështje, duke nënvizuar faktin se, me abetaren fëmijët do të kenë mundësi të mësojnë gjuhën shqipe. Po kështu, Haxhinasto ka theksuar vizionin e Shqipërisë për një Ballkan të integruar në Europë, si një proces që do të zgjidhë krizat aktuale.

Intervistë me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto  dhënë agjencisë informative “Presheva Jonë”

Debati për simbolet kombëtare në abetaren shqipe shpërndarë për fëmijët e Luginës së Preshevës është i paqenë. Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto ka sqaruar në një intervistë për agjencinë “Presheva Jonë”, pozicionin e qeverisë shqiptare dhe ambasadorit Çaushi në këtë çështje, duke nënvizuar faktin se, me abetaren fëmijët do të kenë mundësi të mësojnë gjuhën shqipe. Po kështu, Haxhinasto ka theksuar vizionin e Shqipërisë për një Ballkan të integruar në Europë, si një proces që do të zgjidhë krizat aktuale.

Siç e dini, ardhja e abetares në Luginën e Preshevës pati jehonë të madhe, por nuk munguan as kritikat aty-këtu rreth saj. Si ministër i Punëve të Jashtme dhe zv/kryeministër i Shqipërisë, a mund të na përcillni qëndrimet e Qeverise shqiptare rreth kësaj abetareje?

Qëndrimet e qeverisë shqiptare mund të t’ju them se janë të qarta rreth abetares për shqiptarët e Medvegjës, Bujanovcit dhe Preshevës, se ky tekst është legjitim dhe shkollarët mund ta përdorin lirisht për të mësuar shkronjat e para të gjuhës shqipe në trojet e tyre etnike. Në hartimin e kësaj abetareje, padyshim ne, pra shteti shqiptar ka kontribuar, por natyrisht në bashkëpunim me ambasadorin tonë në Beograd si dhe përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, të zgjedhur nga popullata juaj atje… Pra, në këto momente është mjaft e rëndësishme që vogëlushët e Luginës së Preshevës të kenë një abetare shqiptare, po e përsëris një abetare shqiptare, e cila do t’ju mësojë atyre shkronjat, gjuhën e tyre të bukur shqipe, sipas standardeve tona kombëtare, që e posedojmë në trevat tona. Ministria dhe qeveria jonë shqiptare konsideron si sukses të vitit praninë e abetares në mesin e vogëlushëve dhe vogëlusheve të Luginës së Preshevës. Retorika rreth kësaj çështjeje, politizimi i abetares, nuk i shërben aspak. Sepse aty ishin dy alternativa: ose të kishte një abetare që do të bëhej në mën
yrë konsensuale edhe nga shqiptarët e tjerë, edhe përfaqësuesit zyrtarë të arsimit në atë zonë; ose të mos kishte fare asnjë abetare në gjuhën shqipe për shkollarët shqiptarë të Luginës së Preshevës. Dhe besoj se këtu vetëm njeriu i verbër apo i marrë nuk do të donte ta bënte përzgjedhjen. Pra, për këto momente, unë mendoj se duhet lënë anash politizimi i çështjeve dhe të ecim përpara, duke i dhënë prioritet mësimit të shkronjave dhe gjuhës shqipe, të standardizuara sipas normave tona kombëtare, përmes abetares dedikuar fëmijëve shqiptarë në Medvegjë, Bujanovc dhe Preshevë. Në të ardhmen, sigurisht, do të ketë vend të arrihet dhe të diskutohet më gjatë, të arrihet një mirëkuptim i të gjitha palëve për një abetare gjithëkombëtare.

Zoti ministër, kohëve të fundit si në mediat kombëtare, ashtu edhe në ato ndërkombëtare, flitet e shkruhet për progrese dhe integrime të shtetit shqiptar si rezultat i stabilitetit politik dhe ekonomik. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe liberalizimin e vizave, mendoni se Shqipërinë do ta kemi së shpejti anëtare të BE-së?

Integrimet ndërkombëtare të vendit tonë janë një objektiv strategjike i shqiptarëve, dhe sigurisht do të ishte ylli polar i të gjitha politikave të qeverisë sonë. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, vendi ynë, institucionet tona po punojnë vazhdimisht për riintegrime, përfshirë këtu edhe anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Por, rruga deri tek anëtarësimi i  vendit tonë, ashtu si edhe e vendeve tona fqinje, ende është shumë e gjatë. Siç e dini, që nga prilli i vitit të kaluar Shqipëria ka parashtruar kërkesën për kandidate për anëtarësim në BE. Bashkë me angazhimin e qeverisë shqiptare dhe opozitës, duhet të përqendrohemi më shumë duke realizuar ca kërkesa apo sugjerime, do t’i quaja më mirë, nga ana e BE-së, siç janë ato 12 prioritetet e parashtruara nga Brukseli, që në një të afërme jo të largët edhe vendi ynë të jetë pjesë, anëtare e familje së madhe të Bashkimit Europian.

Marrë nga “Presheva Jonë’


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni